Në kohën kur e tërë bota bënë apel për të mbajtur distancë të caktuar ndaj njëri- tjetrit, udhëheqja e Gjilanit nis një lloj mysafirllëku krejt të pakuptimtë e të rrezikshëm nëpër personalitete të shquara të qytetit, duke iu shkuar në shtëpi e duke qëndruar gju më gju me nikoqirët, tamam sikur gjatë fushatave zgjedhore.
Shkruan: Durim Kadriu
E them e pakuptimtë sepse komuna do të duhej të merrej me punë më të mençura e mysafirllëkun ta lë për më vonë; gjithashtu t’i shkosh dikujt mysafirë në këtë kohë pandemie të rëndë, kjo është me të vërtetë skandaloze dhe mbi të gjitha shkelje e rregullave kundër epidemisë, dhe për më tepër kur këto rregulla shkelen nga vetë ata që do të duhej të respektoheshin më së shumti- udhëheqja e komunës.
Një diçka tjetër që bie në sy kohëve të fundit është edhe vrulli i nënkryetarit për të pastruar deponi mbeturinash të cilat janë krijuar si pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të komunës. Tamam në kohën kur nuk lejohet grumbullimi i njerëzve, nënkryetari mbledhë punëtorë e banorë dhe i hynë punës për pastrim, dhe në fund krejt ngjitur me njëri- tjetrin pozojnë para mediave, përsëri në kundërshtim me rregullat kundër pandemisë. Jo që jam kundër pastrimit ( larg qoftë), por thjeshtë, ku ishin më herët? Ku ishin qe 7 vjet? Tash e gjetën të pastrojnë, mu tani kur janë në fund të mandatit?
Sheshazi duket që fushata ka filluar, por gjithashtu sheshazi duket edhe mungesa e theksuar e ideve dhe e imagjinatës për të bërë fushatë, si p.sh. bartja e pakove ushqimore nga, përsëri nënkryetari i komunës, në kohën kur ai i ka 100 punë për t’u marr dhe kur ka punëtorë të mjaftueshëm për ta bërë atë punë. Kjo i bie: të hershëm në fushatë e të vonuar në punë, apo: entuziastë në fushatë e dembelë në punë.
/autori është pjesë e Lëvizjes Qytetare “Vatra”, në Gjilani/