Viti 1983 i dhuroi Apolonisë një pasuri të rrallë arkeologjike: në tumat e fshatit Kryegjat, arkeologu Vangjel Dimo zbuloi një varr që ngriti mendjen e të gjithë specialistëve të fushës. Në varr ndodhej një mburojë prej bronzi e mbi të skeleti i shtrirë anash i të zotit të saj. Objekte të tjera, të rralla për nga forma dhe dekoracionet interesante, gjendeshin përgjatë mbeturinave kockore të trupit të dikurshëm: një përkrenare e paparë, po prej bronzi, një shpatë hekuri së bashku me gjurmët e këllëfit të zhdukur, katër enë, prodhim vendas në qeramikë, sandale prej metali, thika, kruajtëse etj., etj. dhe gozhdët, me të cilat ishin mbërthyer fort dërrasat e qivurit të madh. Thuajse të gjithë arkeologët e antikitetit shkuan nga dita në ditë për të parë zbulimin e rrallë. Kuriozitetin më të lartë e krijonte mburoja, forma e shkatërruar e së cilës lindte diskutime jo pa hamendësi.
Unë shkova kur mburoja ishte nxjerrë nga toka, ishte transportuar dhe mbahej në ruajtje të sigurtë në magazinat e muzeumit. Ah, e sigurtë! Një pjesë e saj, rreth një e treta, në mos më shumë, ishte shembur së bashku me dheun nën të, duke u kthyer në thërrmija të vërteta! Por për hirë të së vërtetës duhet thënë se edhe pjesa tjetër e saj, ajo që kishte shpëtuar nga shembja nuk ishte më mirë: vetëm një mori thërrmijash dhe diku më shumë, por të organizuara në një rrafsh, ku nuk merrej vesh thuajse asgjë. Tetëmijë e njëqind e pesëdhjetë e tri copa!
Që në njohjen e parë lindi e vërteta për vështirësinë e ringritjes së saj. Konsultat pa fund nuk jepnin zgjidhje. Një rebus? Nuk është asgjë! Isha si mbi det, ku lëkundesha nga tallazet e mendimeve të ndryshme. Jo me orë, as me ditë dhe as me javë, por me muaj të tërë kam qëndruar mbi copërat e mburojës për të gjetur lidhjet midis tyre dhe zhvillimin e motiveve zbukuruese, tashmë të prishura. Vëzhgoja gjithçka në stereomikroskop. Mundohesha të kapja edhe shenjën më të vogël që do të orientonte lidhjet. Pashë të gjitha relievet me mburoja dhe të gjitha statujat luftarake në muzeumet e Shqipërisë për të kuptuar të kaluarën e panjohur nga ne. Sot, kur e shikon të restauruar, është e lehtë të flasësh, por nuk duhet harruar se ajo ka njëzet vjet punë dërmuese të trupëzuar në vetvete.
Thanë që ta restauronin diku jashtë, si për më mirë, por askush nuk e mori përsipër. I mbeti laboratorit tonë. Përpunova dhe eksperimentova shtatëqind e gjashtëdhjetë rrugë dhe nga ato përzgjodha atë që do ta çonte punën deri në fund, duke dhënë garanci absolute. Absolutisht asnjë mëdyshje për ta “parë më konkretisht kur të vinte momenti”, gjithçka e parapërcaktuar dhe ashtu u veprua pa asnjë problem deri në fund.
E kam tepër të vështirë të paraqes në një shkrim gazete punën e kryer. Jo vetëm se ka qenë një rrëmujë e vërtetë. Ajo nuk kishte rend, por kryhej ashtu siç e jepte rasti, e fundit në fillim dhe anasjelltas dhe e gjitha e bashkëlidhur për të dhënë të tërën. Prandaj po e shmang këtë pjesë që zor se i intereson kujt dhe po mundohem të shkruaj nëpërmjet të konkluzioneve.
Përsëri e kam të vështirë. Ndoshta do të jetë e mira që ta fillojmë nga fundi, pra nga mburoja e restauruar dhe që aty të depërtojmë në njohjen e saj dhe në punën e bërë.
Fotot dhe skicat që shoqërojnë botimin do të na ndihmojnë në shtjellimin e temës. E shoh të domosdoshme edhe paraqitjen në skicë të prerjes tërthore. Është në shtatë nivele: 1-Meduza, prej bronzi, 2-fleta metalike e sipërme, po prej bronzi, 3-material i zi lidhës dhe mbushës, 4-dru, 5-përsëri material lidhës, 6-lëkurë, 7-elementë bronzi, që shërbenin për ta mbajtur si dhe gjatë ecjes. Diametri: 72 cm. Trashësia në qendër rreth 2,5 cm, anash rreth 4 mm. Lartësia e kurbaturës nga plani 11-13 cm.
Gjëja e parë dhe mbi të gjitha ishte përfytyrimi i saj në lashtësi. Këtu nuk po i jepnim “kon”. U konsultova disa herë në Gjermani, në Hungari dhe në Greqi. Vetvetiu që literatura e pasur…
Krahas përpjekjeve për konceptimin e mburojës, u punua edhe për njohjen e materialeve me të cilat ishte ndërtuar. Të gjitha pjesët metalike u analizuan për përbërjen kimike, mineralogjike dhe kristaline në Institutin e Fizikës Bërthamore, në Institutin e Gjeologjisë, në atë te Kërkimeve Ushtarake dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Rezultatet e pritura me padurim treguan mjeshtërinë e prodhimit. Teknologji tepër e lartë për kohën e atëhershme! Mjeshtra të një përvoje të përzgjedhur gjatë viteve! Bronzi kishte përbërjen të tillë në bakër dhe kallaj që lejonte goditje të forta me çekiç pa dëmtuar fletën metalike. Tjetër ishte përbërja e elementëve konstruktivë, pjesë të sistemit të mbajtjes dhe tjetër përbërja e gozhdëve. Sikur të ishin sot!
Materiali i zi lidhës dhe mbushës u analizua në Institutin Mbretëror të Pasurive Artistike Kombëtare në Bruksel, institut me famë botërore dhe rezultoi të ishte një masë bituminoze me vaj gjysmë të thatë, ku ishte shtuar edhe rrëshirë pishe.
Po në këtë Institut u kontrollua nëse ka qenë e lyer me ndonjë bojë lëkura dhe rezultoi që jo. E bëmë këtë kontroll, sepse në literaturë thuhet se herë-herë lëkura në pjesën e mbrapme të mburojës lyhej me bojë të kuqe. Në rastin tonë nuk u gjet asnjë element kimik, që të përdorej në lashtësi në formë komponimesh e që jep ngjyrë të kuqe. Veçse në ka qenë e ngjyer me të kuqen e purpurit! Ajo kur shpërbëhet nuk lë asgjë për ta identifikuar. Kështu, na mbetet që të pranojmë faktin. Lëkura e përdorur ka qenë lëkurë nga bagëtitë e trasha dhe pikërisht lëkurë kau.
Për më tepër lexo në:
http://www.faktinews.com/lajme/lajme-shqiperi/u-zbulua-mburoja-ne-apolloni-e-perdorur-ne-betejat-e-aleksandrit-te-madh/