Në përvjetorin e dhjetë jubilar të Shkollës së Mesme të Lartë të Arteve Pamore “Adem Kastrati”, në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” është promovuar libri i autorit mr. sc. Avni Xh. Behluli me titull “SHML e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan 2012-2022”, që është një publikim i rrallë ndër ne.
Dr. Sc. Hevzi Muharremi, recensent i librit, ka thënë se kjo shkollë është e dyta e tillë në Kosovë, pas asaj në Pejë, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në Rajonin e Gjilanit, por edhe më gjerë . Muharremi duke folur për autorin e këtij libri ka thënë se ai është një krijues i mirëfilltë, kurse pos vlerave të mëdha artistike që ka krijuar Avni Behluli, ai ka krijuar një monografi serioze e tejet sfiduese. Pasi ka folur për përmbajtjen e librit nëpër kapituj, dr. Hevzi Muharremi, tha se në këtë libër autori sjell fakte, argumente, faksimile, dokumente, punime, vlerësime e çka jo tjetër, ai flet për grupin nismëtar, duke shtuar se kjo monografi do të jetë shtytëse edhe për autorë të tjerë për të punuar në këtë drejtim, transmeton kryelajmi.com.
“Libri i Avni Behlulit “SHML e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan 2012-2022”, është një libër gjithëpërfshirës dhe një libër me shumë vlerë”, ka thënë dr. Sc. Hevzi Muharremi.
Mehmetali Rexhepi, lektor i librit, punimin e tij e ka titulluar “Personazhi dhe autori në një monografi”, duke vlerësuar se Avni Xh. Behluli në mënyrë kronologjike ka paraqitur tërë veprimtarinë prej një ideje e deri te rrumbullakimi i asaj ideje e që ishte themelimi i “SHML e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan.
Sipas Rexhepit, Behluli ndjek kronologjinë e ngjarjeve, ai shkruan me një stil dokumentar, shkrimin e pasuron me faksimile, foto, pasqyra, tabela, artikuj gazetash, shkresa, pllakate, punime artistike e çka jo tjetër, andaj ai ka arsye të ndjehet i përmbushur.
Shefik Shkodra, redaktor i librit, ka thënë se libri i autorit Avni Xh. Behluli është i rëndësishëm, i lehtë për lexim, i qëndrueshëm dhe i pranueshëm, me tërësi korpusi dhe kronikë e plotë. “Behluli ishte nismëtar i themelimit të kësaj shkolle dhe në të njëjtën kohë, ai i pati të gjitha faktet për të realizuar këtë monografi”, ka thënë redaktori Shefik Shkodra.
Avni Behluli, autor i librit, në mënyrë kronologjike ka rrëfyer për të gjitha vështirësitë, por edhe për tërë punën e bërë deri në themelimin e kësaj shkollë, e cila kërkoi shumë mund, sakrificë e deri në disa vite për t’u realizuar. Ai nuk la pa përmendur edhe të gjithë protagonistët në këtë rrugëtim, foli për rolin e të gjithëve, gjë për të cilën i ka falënderuar. Në shenjë përkushtimi për kontributin e dhënë, me mirënjohje post mortum është nderuar Hafiz Gashi, ish-drejtor si dhe Qemajl Mustafa, ish-kryetar i komunës së Gjilanit e në këtë përurim, me një fjalë rasti është paraqitur edhe Emrush Qamili, ish-drejtor në dy shkolla të Gjilanit, i cili librin e cilësoi me vlerë, por pa harruar se në të kaluarën pati edhe probleme dhe vështirësi, të cilat me punë, vullnet e përkushtim u tejkaluan.