(2L ONLINE) – Policia e Kosovës, konkretisht stacioni policor në Gjilan, në dy raste të ndara ka pranuar dy ankesa nga qytetarë të ndryshëm, se ata janë mashtruar për rregullim të vizave për të gjetur punë në shtetet perëndimore.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan. Ka bër ëtë ditur se më 12.6.2014 ankuesi B. Rr. (1991) ka raportuar se i dyshuari Gj. M. (1962) me vendbanim në qytetin e Prizrenit e kishte mashtruar duke i premtuar se do t’ia rregullojë pasaportën bullgare dhe për këtë i dyshuari nga ankuesi kishte kërkuar 5000 (pesëmijë) euro.
Duke i besuar të dyshuarit, ankuesi i rastit kishte transferuar në xhirollogarinë e të dyshimtit 1500 € (një mijë e pesëqind) euro.
I dyshuari pasi kishte pranuar paratë nga ankuesi më nuk i ishte paraqitur atij.
“Pas një pune mirë të organizuar operative njësitet hetuese të Policisë së Kosovës nga stacioni policor i Gjilanit kanë arrestuar të dyshuarin Gj. M. në qytetin e Prizrenit ku i njëjti është sjellë në Gjilan, me ç’rast është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës”, ka thënë toger Hashani.
Sipas hashanit, në deklaratën e të arrestuarit janë dëshmuar fakte të qëndrueshme që lidhen me veprën penale.
Në rastin e dytë ankuesit Q. B. (1969) dhe E. H. (1987), me banim në Gjilan, kanë raportuar policinë se i dyshuari N. B. (1964) me vendbanim në fshatin Vrellë-komuna e Istogut, i kishte mashtruar duke ju premtuar se do t’iu rregullojë viza për punë në shtetin slloven dhe për këtë i dyshuari nga ankuesit kishte kërkuar 4400 € (katër mijë e katërqind) euro.
Duke i besuar atij, viktimat në xhirollogarinë e të dyshuarit kishin transferuar 1700 (njëmijë shtatëqind) euro. I dyshuari N. B. pasi kishte pranuar paratë nga ankuesit më nuk u ishte paraqitur atyre.
“Me 27.10.2014 i dyshuari është arrestuar në qytetin e Istogut ku i njëjti është shoqëruar në stacionin policor në Gjilan me ç’rast është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës ku janë gjetur dëshmi të qëndrueshme për kryerjen e veprës penale. Me vendim të prokurorit të shtetit të dy të dyshuarit janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë dhe ndaj tyre ushtrohet kallëzimi penal për veprën penale ‘mashtrim’ veç e veç”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, Policia e Kosovës në vazhdimësi apelon dhe i thërret grupet apo individë që mos të bien pre e premtimeve dhe futjes në lajthitje nga grupe të organizuara kriminale, sepse premtimet e këtyre mashtruesve janë të kota, ata i bëjnë vetëm për përfitime në mënyrë të paligjshme, duke e shfrytëzuar në mënyrë dinake momentin social.
“Nuk ka rrugë tjetër të migrimit përveç rrugëve legale duke u pajisur me dokumente të rregullta në ambasadat përkatëse dhe përfaqësitë diplomatike”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan. /2L ONLINE/