Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, të premten u promovua vëllimi me poezi i autorit Imer Topanica, me titull “Tufë drite”. Topanica u përgëzua për poezinë e tij plot ndjenjë, e cila madje u cilësua si e denjë për antologjinë e letërsisë bashkëkohore. Fjalë për vëllimin poetik të Topanicës patën botuesi dhe redaktori i tij, Gazmend Bërlajolli, si dhe kritiku letrar, Flamur Maloku.
“Posa më është dhënë dorëshkrimi, këtë libër e kam lexu dy herë, butësisht e dashunisht. Që nga fillimi i librit ‘Tufë Drite’, sa të marrësh udhën e leximit të shkakton një shoqërim, një emocion tjetër, ndryshe në poezinë shqipe. Përmes fjalës, Topanica prek A-në e Zh-në, lojën e saj, figurën, imagjinaren, realen e të përditshmen, me të bukurën e nemur e të bardhë. Poezia e Imer Topanicës përgjithësisht lexohet si një poezi në tërësi dhe e bukura e saj është guximi prej poeti. Ai jeton ëndrrën, prek realitetin, e shtjellon deri në fund, deri në një diskutim të thellë, karshi asaj që quhet bindje poetike”, ka thënë mes tjerash Maloku.
Redaktori dhe botuesi i këtij libri, Gazmend Bërlajolli, fillimisht i pyeti të pranishmit në sallë se sa prej tyre e njihnin poetin e ri nga rrjeti social “Facebook”. Shumë duar u ngritën në sallë, shoqëruar me buzëqeshjen e Topanicës.
“Ky është vëllimi i parë i Imerit me poezi, por kjo nuk e bën atë aspak rishtar në zejen e poezisë. Imeri është i njohur prej lexuesit, i cili sot lexon poezi prej telefonit celular se i dalin poezitë e Imerit në ekran prej vetë Facebook-ut. Ka në këtë vëllim poetik poezi të denja për antologji, e nëse dikush do të bënte një antologji të poezisë së bashkëkohësisë në shqip, qoftë edhe elektronik, do nga poezitë e këtij vëllimi janë të pashmangshme”, tha ai.
Bërlajolli përmendi disa prej poezive të vëllimit, përfshirë këtu `Jam lodhë së jetimi pa e pa dekën`, `Kush është ky njeri`, `Nji ditë kam me ba protestë`, `Zë kryengritësi`, etj. Ai vlerësoi aftësinë e poetit për të ndryshuar qasjen, temat, dialektin dhe strukturat poetike.
“I gjithë vëllimi është njëfarë shëtitore ndjenjash, sepse në çdo poezi ai që flet asht një tjetër, ka ndërruar temë, humor, shprehtësi e stil, sa m’bëhet që poezitë nuk ndajnë të njëjtën adresë frymori, se nuk ka vargëzu përmbi to veç nji poet”, ka shtuar Bërlajolli, duke thënë se ky vëllim poetik i shton shpresën për mbijetesën e librave të formatit fizik.
Ndërkaq, Topanica tha se shpreson që libri i tij të shndërrohet në një referencë debati, leximi e diskutimi interaktiv.
“Ky moment ma kujton një thanie të regjisorit Quentin Tarantino, për artin e tij: “Unë nuk besoj që shikuesi i filmave të mi është ma i paditun sesa unë për sa i përket filmit. Unë nuk besoj në elitarizëm, unë jam shikuesi’. Më pëlqen me e zhvendosë këtë thanie të Tarantinos në rrafshin e artit në përgjithësi dhe të letërsisë veçanërisht. As unë nuk besoj në elitarizëm, jam i prirur të besoj që edhe lexuesi i tekstit tim është po aq i përgatitun sa unë, unë jam lexuesi im!”, tha poeti.
Imer Topanica u lind më 1983, në Sfeçël të Podujevës. Ai ka mbaruar studimet në Degën e Letërsisë të Fakultetit Filologjik në Universitetin e Prishtinës dhe është poet, prozator dhe kritik letrar. Në vitin 2013, ai botoi romanin e tij të parë “Udhëtarët” në Tiranë.
http://www.rtklive.com/?id=6&r=4840