(2L ONLINE) – Është mbajtur Manifestimi Përkujtimor për nderë të 16 vjetorit të rënies së dëshmorëve “Gursel e Bajram Sylejmani” , me që rast janë zhvilluar një varg aktivitetesh sportive.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, në fjalën e rastit tha se populli ynë gjatë këtij rrugëtimi pati shumë personalitete me vlera të larta, me tipare dhe karakteristika tepër humane, fisnike dhe padyshim tepër të guximshme.
“Personalitete, intelektualë, të cilët morën përsipër ndryshimin e kësaj rrjedhe të historisë e cila për çdo ditë po I binte terrin kësaj tokë. Sot e 16 vite më parë, kur në këtë tokë kemi dritë e liri, e kujtojmë betejën e lavdishme të Jezercit, i kujtojmë dy vëllezërit të cilët qysh në moshë rinore vepruan për ti sjellë dritë Shqipërisë natyrale, vepruan deri në sakrificën e fundit të cilën ata e quanin ëndërr, ëndërr për ti dhënë veten tokës, për liri. Me 16 vite distancë kohore, nuk ndjehet asnjëherë efekti i harrimit, por ai i motivimit për ta ruajtur lirinë dhe dritën që ata i sollën vendit, motive për të punuar pastër për institucionin dhe për ti shërbyer popullit”, tha kryetari Haliti.
Në emër të familjes së dëshmorëve foli e bija e dëshmorit Gursel Sylejmanit, Kaltrina Sylejmani e cila citoj fjalët e babit të saj para se ti bashkohet aradheve të UÇK-së . Të pranishëm në Akademinë përkujtimore që u mbajt në Sadovinë të Jerlive, ishin edhe personalitete nga jeta politike, veprimtarë të dëshmorëve, përfaqësues të spektrit politik, dashamirë të artit dhe mysafirë të shumtë.
Me këtë rast është hapur një Ekspozitë “Dëshmorët, motiv në art” që u mbajt në kompleksin e dëshmorëve Sylejmani e ku u ekspozuan piktura të dëshmorit Gursel Sylejmani. Ndërsa janë mbajtur edhe garat e recituesve ku fitues u shpall grupi i recituesve nga Shkolla Fillore 28 Nëntori”Sadovinë Jerlive./2L ONLINE/