U mbajtën zgjedhjet e studentëve në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

U mbajtën zgjedhjet e studentëve në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

Zgjedhjet që janë mbajtur sot për Këshillat e Studentëve dhe Parlamentin e Studentëve në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë kaluar mirë dhe janë përmbyllur pa asnjë problem. Në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 1000 votues ose 28% e studentëve me të drejtë vote, të cilët kanë pasur mundësi të votojnë për dy organizata studentore: Rinia Studentore – Kadri Zeka dhe Unioni i Studentëve – Gjilan .

Qendrat e vendvotimit i ka vizituar, menaxhmenti i Universiteti “Kadri Zeka” si dhe përfaqësuesi nga MASHT-it në cilësinë e anëtarit të Kosimionit Zgjedhor. Ata kanë parë nga afër procesin e votimit, derisa janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e deritashme të zgjedhjeve.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Vaxhid Sadriu, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i UKZ-së, tha se procesi ka qenë i rregullt dhe nuk është raportuar asnjë ekces ose parregullsi.

Sipas tij, rezultatet preliminare do të shpallen më 03.05.2019, kurse rezultatet përfundimtare do të shpallen më 13.05.2019, do të bëhet edhe ndarja e mandateve, në proporcion me përqindjen e votave, të cilat i kanë marrë organizatat studentore, për Parlament të Studentëve dhe Këshilla të Studentëve të fakulteteve.

Ai falënderoj studentët, personelin e administratës, anëtarët e KQZ-së, KVV, si dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit në zgjedhjet e studentëve, duke përfshirë edhe përfaqësuesin e MASHT-it, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, duke bërë që zgjedhjet të kalojnë mirë dhe pa asnjë problem.

KOMENTE