Në Viti u mbajt Gara komunale e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik, ku morën pjesë nxënës të shkollave fillore të komunës së Vitisë.
Për disa momente i pranishëm në përcjelljen e këtyre garave ishte edhe Azem Guri , zv.ministër në Ministrinë Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit Fatbardha Emini.
Haliti me këtë rast ka theksuar se këto gara janë të mirëseardhura dhe shumë të domosdoshme. Ky aktivitet, është pjesë e Programit Nacional për Rininë (PNR), i cili ofron mundësinë e platformës në gara që i përgjigjet sistemit të njohurive të Kurrikulës së Arsimit Para universitar.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport me Programin Nacional për Rininë, Rexhep Hoti, e ka formësuar idenë e pjesës praktike të sistemit të nxënies, që u garanton pjesëmarrje të gjithë nxënësve në tri fusha kryesore:
a) Në Dituri – nëpërmjet testeve – në të gjitha lëndët e arsimit para universitar, nga vlerësimet e jashtme dhe PISA-s;
b) Në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik (KKMK) – për të gjithë nxënësit e nivelit para universitar, që u mundëson atyre t’i shprehin aftësitë krijuese dhe fuqinë e mendimit dhe
c) Në Sport – për të gjithë nxënësit e niveleve para universitare nëpërmjet kampionateve shkollore në katër disiplina: futsall, volejboll, shah e atletikë, në universitete edhe në basketboll.