Organizuar nga Zyra e Kryetarit të komunës, respektivisht zyra për Barazi Gjinore dhe në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE, është mbajtur tryeza për shqyrtimin e Draft Strategjisë Komunale kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2019 – 2023.
Gazmend Murseli nga OSbE, fillimisht ka theksuar se misioni i OSBE-së, pos aktiviteteve tw tjera, është i fokusuar edhe në parandalimin e dhunës në familje. Ai poashtu ka thënë se do të vazhdojn të kenë fokusim edhe në vetëdijësimin e shoqërisë në parandalimin e këtij fenomeni.
Kurse zv.kryetari i komunës Hasan Aliu ka përgëzuar grupin punues që ka hartuar këto dy dokumente, të cilat i cilësoi si shumë të rënëdësishme për komunën e Vitisë.
Lidhur me dy dokumentet që u shqyrtuan në këtë tryezë, foli zyrtarja për barazi gjinore në Viti Ibadete Hyseni, e cila tha se Draft strategjia komunale kundër dhunës në familje është një prej dokumenteve të rëndësishme të komunës , hartimi i së cilës ka ndjekur një proces të gjatë diskutimesh dhe kontributesh konkrete të shumë institucioneve relevante që punojn në këtë fushë.
Ajo ndër tjerash ka përmendur edhe fushat e veprimit siç janë: eliminimi i pabarazive dhe dhunës në familje, arsimimi dhe informimi, fuqizimi i bazës ekonomike, fuqizimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional etj.
Më tej, ka prezentuar edhe një statistikë të rasteve të dhunës në familje dhe numrin e divorceve si pasojë e dhunës në familje.
Pjesmarrësit e kësaj tryeze paraqitën vërejtje dhe sygjerimet e tyre rreth draft strategjisë komunale kundër dhunës në familje, ndërkaq si problem u ngrit mungesa e mjeteve për strehimin e viktimave të dhunës në një nga strehimoret e komunave fqinje, pasi që Vitia ende nuk e ka një të tillë.
Ky takim , kishte për qëllim bashkërendimin e aktiviteteve të akterëve që punojnë në parandalimin e dhunës në familje, si dhe mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave, e të cilat aktivitete do të inkorporohen në Planin e Veprimit për periudhën 2019 – 2023.