Në Viti është prezantuar sot projekti ndërkufitar në kuadër të projektit Cross Border, me që rast u mbajt edhe forumi i parë lokal i trashëgimisë kulturore në komunën e Vitisë.
Këtë forum e përshëndeti edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, ndërsa ka vlerësuar këtë projekt të trashëgimisë duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm.
Në këtë prezantim, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministritë e Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile, shoqatat e ndryshme, zyrtarë komunal etj.
Projekti “Iniciativa për shkëmbim kulturor ndërkufitar”, u bë e ditur se ka filluar të zbatohet nga marsi i këtij viti dhe do të zgjasë dy vite dhe ka për qëllim të kontribuojë në krijimin e kushteve të favorshme për kohezion social, bashkëpunues dhe shkëmbime kulturore mes Institucioneve dhe Shoqërisë Civile nga Kosova dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Gjashtë komuna janë partnere në Kosovë dhe IRJM që janë përzgjedhur për të zbatuar objektivat e projektit.
Gjithashtu u prezantua edhe potenciali në trashëgimi kulturore i komunës së Vitisë, gjendja ekonomike dhe sociale në komunën e Vitisë, si dhe u njoftuan pjesëmarrësit me afatin kohor të aktiviteteve dhe hapat e mëtutjeshëm të projektit .