Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i grupit punues për Listën e Avancuar të Pasagjerëve (API). Ky grup ka për qëllim themelimin e udhërrëfyesit për të ndihmuar përparimin e autoriteteve kosovare drejt qëllimit për zbatimin e projektit për API.
Takimin e hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, z. Isa Xhemajlaj, i cili theksoi se pas vlerësimit të përgjithshëm të situatës dhe hartimit të grupit punues, tashmë do të fillojë faza e angazhimit të gjithë institucioneve që janë të përfshira.
Ai tha se qëllimi i këtij takimi është që tu ndahen punët secilit anëtarë në mënyrë që fillimisht të bëhet shqyrtimi i legjislacionit dhe nevojat për ndryshimet e ligjit për të qenë në përputhje me direktivat e BE-s dhe ligjet e miratuara në shtetet anëtare dhe pastaj të vazhdohet me fazat tjera.
Zëvendësministri Xhemajlaj falënderoi Ambasadën Amerikane, ICITAP-in, OSBE-në, EXBS-sin dhe EU-në, për ndihmën e vazhdueshme, veçanërisht në hartimin e raportit për objektivat që do t’i ketë ky grup.