Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i grupit ndërinstitucional për implementimin e Strategjisë dhe planit të veprimit kundër krimit të organizuar.
Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Kombëtar Kundër Krimit të Organizuar, z. Selami Shkodra, i cili përgëzoi grupin ndër institucional për punën që kanë bërë. Ai tha se edhe në bazë të vlerësime të raporteve të fundit Kosova ka shënuar progres në ranglistën sa i përket perceptimit për korrupsion dhe kjo është edhe falë punës së këtij grupi.
“Luftimi krimit të organizuar është interes vital dhe jetik për Republikën e Kosovës dhe është pjesë e vazhdueshme e punës se institucioneve të sigurisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një ndër kriteret kryesore për integrimet e vendit në strukturat evropiane”, theksoi Shkodra.
Zëvendësministri Shkodra kërkoi nga të gjithë akterët e përfshirë që të intensifikohet edhe më tej lufta kundër krimit të organizuar dhe duhet të dërgohet mesazhi për përkushtimin tonë, sepse kjo është edhe një ndër kërkesat e aleatëve tanë strategjik.
Të gjithë anëtarët e grupit raportuan për periudhën e kaluar ku u vlerësua se janë realizuar shumica e objektivave, megjithatë mbeten edhe shumë sfida që do të realizohen në periudhat e ardhshme.