/2L ONLINE/ – Është zhvilluar sot seanca e shtatë e rregullt e Asamblesë komunale në Viti me që rast, janë shqyrtuar disa pika me rëndësi, ndër to është prezantuar raporti gjashtë mujor i pasqyrave financiare për periudhën janar-qershor 2016.
Fillimisht, kryesuesi i Kuvendit Naim Pira ka njoftuar këshilltarët me aktivitetet komunale, respektivisht ka bërë të ditur konfirmimin e zyrës ligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit lokal rreth ligjshmërisë së vendimeve të deritanishme të Kuvendit për këtë vit, që konsiderohet një rezultat i mirë i punës së legjislacionit të Vitisë.
Gjithashtu ka përmendur edhe vlerësimin në Mozaikun e komunave të Kosovës që Vitia është ndër komunat më të mira sa i përket realizimit të premtimeve. Pyetjeve të këshilltarëve që i parashtruan para se të fillohet me pikat e paparapara të rendit të ditës, iu është përgjigjur zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, i cili ndër tjerash ka bërë të ditur edhe për angazhimet e komunës në realizimin e projekteve të nisura dhe ato që do të fillojnë së shpejti.
Në prezantimin e pasqyrave financiare, drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama, ka theksuar se gjatë periudhës janar-qershor 2016, shkalla e ekzekutimit të buxhetit komunal është 86.66%. Duke folur për të hyrat vetanake, Rama tha se gjatë këtij gjashtë mujori janë inkasuar 346.546,43 euro dhe duke u bazuar në planifikimin vjetor të të hyrave, është arrit shkalla e inkasimit në 36.89 %, ose krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur rritje të inkasimit për 9.29 %.
Në këtë seancë është miratuar njëzëri edhe propozim vendimi për Vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera ne Komunën e Vitisë, si dhe plani i veprmit për transparence në Komunën e Vitisë. Ndërkohë që këshilltarët janë informuar rreth procesit të korrje shirjeve, si dhe të testit të arritshmërisë nga Drejtoria e Arsimit ./2L ONLINE/