Më 27.02.2021, në hapësirat e Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë u mbajt Olimpiada e XIII Matematike e Kosovës – OMK 2021, për nxënësit e klasave 9,10,11 dhe 12. Kjo olimpiadë u organizua nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (ShMK) dhe bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH).
NGA: Festim Shkodra – profesor i matematikës
Koha e lejuar për zgjidhjen e detyrave të testit të olimpiadës ishte 4 orë. Olimpiada u mbajt duke respektuar me përpikëri masat kundër pandemisë COVID -19. OMK 2021 u organizua me standarde tejet të larta dhe kushte komode të ofruara nga shkolla mikpritëse. Nxënësit pas përfundimit të testimit u udhëzuan t’i fotografojnë punimet e tyre meqë këtë vit, per t’iu shmangur tubimeve, nuk iu shpërndanë kopjet e testeve në formatin fizik.
Për ata nxënës që nuk kishin telefon të mençur, ShMK u kujdes që t’ua fotografojë punimet e tyre e t’ua dergojë atyre përmes e-mailit ose përmes ndonjë platforme tjetër të komunikimit. Këtë herë për shkak të respektimit të masave anti-covid, certifikatat e pjesëmarrjes dhe ato të suksesit do t’iu shpërndahen nxënësve garues në formatin online në adresat e tyre elektronike.
Rezultatet preliminare të OMK 2021 do të shpallen pas disa ditësh në web faqen e ShMK-së, ku pas shqyrtimit të ankesave eventuale shpallen edhe rezultatet përfundimtare.
Sivjet në OMK 2021 morën pjesë mbi 200 nxënës të përzgjedhur nga Olimpiadat Matematike Komunale të organizuara më 20.02.2021, në mbi 26 komuna të Republikës së Kosovës, prej nga vijnë këta garues. Nxënësit garues në të gjitha komunat e Kosovës, varësisht nga klasa që vijojnë, iu nënshtruan njëkohësisht testit të njëjtë në olimpiadat e tyre komunale. Prej komunave të vogla morën pjesë nga 2 fitues nga olimpiadat komunale përkatëse, për secilën secilën nga klasat 9,10,11 dhe 12, ndërsa nga qendrat rajonale: Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj dhe Mitrovicë morën pjesë nga 3 fitues dhe nga Prishtina morën pjesë nga 4 fitues për secilën kategori.
Poashtu nga Gjimnazi i Specializuar Matematikor në Prishtinë morën pjesë nga 4 fitues nga gara shkollore për secilën kategori (si gjimnaz i veçantë dhe nacional). Testet e olimpiadave komunale dhe testet e OMK 2021 u përpiluan nga ShMK sikur edhe testi seleksionues – TST 2021 që do të përgatitet nga ShMK.
Për kohën e mbajtjes së TST 2021, garuesit fitues do të njoftohen pasi të publikohen rezultatet përfumdimtare të OMK 2021. Këto teste përpilohen duke u bazuar në standardin e arritshmërisë së gjimnazit, drejtimi shkencor, të klasës përkatëse si dhe në testet e ngjashme të Olimpiadave Ndërkombëtare të Matematikës. Në webfaqen e ShMK-së http://kms-ks.org/omk mund të shkarkohen materiale dhe linqe për përgatitje të nxënësve.
Në OMK 2021 do të përzgjedhen nga 5 garuesit më të suksesshëm të secilës prej klasave 9,10,11 dhe 12, që pastaj do t’i nënshtrohen një testi seleksionues TST 2021, për përzgjedhjen e ekipit shtetëror prej 6 anëtarësh, që do të marrë pjesë në Olimpiadën e 62-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2021 që sivjet do të mbahet më 14-24. 07. 2021 në qytetin St. Petersburg, në Rusi. Ku Kosova merr pjesë për herë të 11-të në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota. Testi seleksionues TST është i njëjtë për të gjitha klasat. Garuesit fitues, ShMK do t’i përkrahë me ligjërata dhe ushtrime përgatitore për ta.
Gjithashtu nga suksesi i treguar në OMK 2021 dhe TST 2021, do të përzgjedhet ekipi prej 4 vajzave, që do të përfaqësoj Kosovën në Olimpiadën Europiane Matematike për Vajza – EGMO 2021, që sivjet mbahet më 9-15.04.2020, në qytetin Kutaisi, në Gjeorgji. Nga këto gara përzgjedhen edhe ekipet përfaqësuese të Kosovës në Olimpiadën e 8-të Ndërkombëtare të Gjeometrisë – IGO 2021, garën e Kupës së 10-të Matematike Europiane – EMC 2021, garën amerikane Cyberspace Mathematical Competition – CMC 2021.
Nga OMK 2021 do të përzgjedhen edhe nxënësit më të suksesshëm nga klasa IX që do të përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e II Matematike Kosovë – Shqipëri – KAMO 2021, që sivjet do të mbahet në Shqipëri.
Shumë nga ish-fituesit e këtyre olimpiadave kanë kryer dhe po kryejnë me sukses të shkëlqyeshëm studimet në universitete vendore, rajonale si dhe universitete prestigjioze në botë, duke siguruar edhe vende atraktive të punës. Matematikanët e rinj të Kosovës, pos tjerash kështu po i kontribuojnë edhe afirmimit të shtetit tonë duke i sjellë atij edhe medalje olimpike, medalje nderi, lavdërata etj. nga olimpiadat ndërkombëtare të matematikës. Prandaj edhe shteti dhe shoqëria jonë duhet t’i përkrahë sa më tepër ata, si investim në prosperitetin e vetë Kosovës.
Suksese të gjithë nxënësve pjesëmarrës në OMK 2021! /2LONLINE.com/