Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, ka mbajtur mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së Arben Dërmakut, themelues dhe ish- Rektor i universiteti.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka ” prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, ka shprehur ngushëllimi për familjarët miqtë dhe kolegët të tij. Rektori Kosumi ka thënë se Profesori Arben Dërmaku ka qenë nxitësi i reformimit të Arsimit të Lartë në Kosovë.“Fatet jetësore janë të tilla, ai ka shkuar por pas vetes kemi punën e madhe dhe njëkohësisht edhe pikëllimin. Ai ka qenë një prej ekonomistëve më të mirë të Kosovës. Ai ka qenë nxitës i reformimit të Arsimit të Lartë në Kosovë .Ai njihet për një përmasë tjetër dhe ka dhënë kontribut në themelimin e Universitetit Kadri Zeka në Gjilan. Vullneti i tij për ta ngritur Universitetin duhet të jetë shembull edhe ne që jemi sot këtu”, tha mes tjerash Rektori Kosumi.
Kurse Profesori, Flamur Hyseni, bashkëpunëtor i profesorit Arben Dërmaku, në themelimin e Universitetit “Kadri Zeka”, ka treguar rrugëtimin e tij së bashku me Arben Dërmakun, në shtyrjen e proceseve për themelimin e Universitetit të Gjilanit. “Unë kisha fatin që të jem nga më të rinjtë në procesin e themelimit të Universitetit. Arbenin e njihja nga fakulteti Ekonomik në Prishtinë”, tha profesor Hyseni.
Ndërsa, në pamundësi për të ardhur kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka dërguar telegram ngushëllimi për vdekjen e Arben Dërmakut.
Po ashtu telegram ngushëllimi për mbledhjen komemorative ka dërguar edhe familja e Prof. Asoc. Dr. Arben Dërmaku./2LONLINE.com/