Bashkëpunimi nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë e më intensiv, sa në fushën e përdorimit të burimeve njerëzore aq edhe të atyre natyrore, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, në hapje të mbledhjes së tetë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar. Është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në të gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim e jo në fund, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se të gjitha marrëveshjet që do të miratohen sot kanë për synim lehtësimin e mëtejshëm të jetës së qytetarëve, afrimin dhe rritjen e kompetencës njohëse dhe praktike të tyre si qytetarë, duke ndërtuar në radhë të parë infrastrukturën e përbashkët për arritjen e atyre synimeve, qoftë të asaj fizike, qoftë të asaj administrative.
Kjo mbledhje e tetë e dy qeverive vjen vetëm gjashtë muaj mbas mbledhjes së kaluar, në të cilën u nënshkruan 13 marrëveshje ndërqeveritare dhe 8 marrëveshje ndërmjet institucioneve.