Sot në selinë e FFK-së është mbajtur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, me pjesëmarrjen e themeluesve dhe delegatëve të tij. Me këtë rast u aprovua me unanimitet statuti dhe aktet normative të LRF Gjilanit, ku themelues është FFK, bashkë me anëtarët e regjionit. Kësisoj, u hap rruga për të kompletuar dokumentet e shkollave dhe klubeve për licencim dhe për vërtetime të sponsorizimit, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Më tej thuhet se pas dorëheqjes së Malazog Hoxhës nga pozita e kryetarit të LRF Gjilanit, është hapur rruga për të mbajtur zgjedhjet e reja në këtë regjion, e ku do të zgjidhen të gjitha organet.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi autorizoi Jetullah Arifin, sekretar i LRF Gjilanit, administratorin Liridon Poroshtica dhe Armend Misinin, komisar i garave që të kujdesen për mbledhjen e dokumentacionit të klubeve dhe OJQ-ve deri në zgjedhjen e organeve të reja.
Gjatë punimeve të këtij Kuvendi delegatët u zotuan se shumë shpejt LRF Gjilani do të ketë kryetar dhe bord të ri, por edhe administratë funksionale, thuhet në njoftimi ne FFK-së.
Përndryshe, siç është bërë me dije sot kryetari i LRF në Gjilan, Malazog Hoxha, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij.
Shkrimi i plotë i tij:
Të nderuar miq, përkrahës, bashkëpunëtorë nëpërmjet këtij shkrimi dua të ju njoftoj me vendimin për dorëheqjen time nga pozita e Kryetarit te Lidhjes Rajonale te futbollit te Gjilanit pas tre mandateve shumë të suksesshme.
Duke menduar gjithmonë në të mirën për Regjionin tonë dhe asnjëherë në rrafshin personal, në rrethanat momentale e shoh të arsyeshme tërheqjen time nga posti i Kryetarit te LRFGJ-se.
Përgjatë këtyre dhjetë viteve, arritëm suksese të jashtëzakonshme së bashku.
Mirënjohës gjithmonë për përkrahjen dhe bashkëpunimin e ngushtë.
Falënderues dhe gjithmonë i përulur para jush; Klube të Futbollit, Shkolla të Futbollit, Gjyqtarë, Delegatë e bashkëpunëtorë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe te palëkundur përgjatë këtyre dhjetë viteve.
Me shume respekt, Malazog Hoxha.