(2L ONLINE) – Pas aprovimit që e ka marrë në Kuvendin Komunal të Vitisë propozim rregullorja për ndarjen e bursave të studentëve e Vitias ajo ka dal sot në diskutim publik ku të pranishëm ishin studentë vitias, këshilltarë nga Kuvendit Komunal si dhe qytetar të cilët patën mundësinë që të njihen për së afërmi me këtë propozim rregullore.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira duke folur para të pranishmeve tha se ky takim po mbahet pasi që Kuvendi Komunal ka vendosur me shumicë votash që të mbahet diskutimi publik me grupet e interesit duke kërkuar nga ta që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Ndërkaq Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se për herë të parë ndarja e bursave në komunën e Vitisë do të bëhet përmes kësaj rregullore ku janë të përcaktuara kriteret bazë për të përfituar këtë bursë.
Kurse Drejtori për Arsim, Qahil Sinani tha se Institucionet Komunale të Vitisë janë të interesuar që sadopak të mbështesin në këtë formë studentët e kësaj komune duke nënvizuar se ata janë të interesuar që të shpërndahen në mënyrë të drejtë bursat për të gjitha kategoritë e studentëve dhe shoqërisë.
Në këtë takim të pranishmit janë njohur rreth kritereve për përcaktimin se kush mund të jetë përfitues të kësaj burse, pikëve të cilat i marrin në bazë të kritereve etj. Gjatë këtij takimi ata janë njohur për së afërmi me këtë rregullore por edhe parashtruan propozimet e tyre e ndër to ishte rritja e notës mesatare, përcaktimi se cilat drejtime janë deficitare etj.
Përndryshe Komuna e Vitisë, ditë me parë e ka bërë publike propozim rregulloren në fjalë si dhe ju ka mundësuar qytetarëve të interesuar që të marrin nga një kopje të kësaj rregullore./2L ONLINE/