/2L ONLINE/ – Me qëllim të planifikimit të buxhetit komunal, komuna e Vitisë, konkretisht Ibrahim Rama, Drejtor i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim ka mbajtur një diskutim publik me sportdashësit vitias. Gjatë këtij takimi ai i ka njoftuar ata për projekt buxhetin e Komunës së Vitisë për vitet 2017-2019 në veçanti të subvencioneve që do të ndahet në kategoritë e ndryshme por edhe lidhur me projektet e komunës së Vitisë në sektorin e sportit në veçanti për planet e saj për ndërtimin e stadiumit në Viti.
Gjatë këtij takimi sportdashësit kanë kërkuar që institucionet komunale të Vitisë të gjejnë forma të përkrahjes financiare të klubeve sportive të cilat përfaqësojnë këtë komunë në nivel vendi.
Ibrahim Rama, Drejtor i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim pasi e paraqiti projekt buxhetin komunal për vitin 2017 që do të ndahet në kategoritë e ndryshme ekonomike duke u ndalur në veçanti të kategoritë e subvencioneve dhe transfereve si dhe shpenzimet kapitale pasi që sipas tij këto kategori janë në një interes të veçantë për sportin.
“Natyrisht se kategoria ekonomike e cila prek më së shumti sportin janë subvencionet dhe tranferet si dhe shpenzimet kapitale. Ndërkaq për subvencione janë paraparë 227,000,00€ ku subvencionohet sporti, kultura dhe aktivitetet e tjera. Megjithatë Komuna e Vitisë është e përkushtuar që të bëjë një projeksion sa më të mirë të buxhetit“ u shpreh Rama.
Ai i njoftoj sportdashësit edhe për planet e komunës së Vitisë për ngritjen e infrastrukturës për sport, konkretisht rreth stadiumit në Viti.
“Kemi menduar të ndërtojmë në të ardhmen një stadium me mbi 5000 ulëse dhe për këtë kemi përgatitur edhe një projekt po ashtu komuna e Vitisë ka kërkuar ndihmë financiare nga niveli qendror për të realizuar këtë projekt pasi që ai është i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në Viti“, u shpreh Rama.
Gjatë këtij takimi është hapur edhe një debat ku të pranishmit kanë kërkuar që të gjenden format të përkrahjes financiare të klubeve në Viti në veçanti të atyre që përfaqësojnë këtë komunë në garat në nivel vendi./2L ONLINE/