Janë mbajtur edhe dy debate publike me banorët e fshatit Kabash si dhe me ata të qytetit të Vitisë, rreth planifikimit të buxhetit komunal për vitet 2022-2024.
Sikur edhe ne diskutimet tjera që janë mbajtur ditëve të kaluara, drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama, i ka njoftuar pjesëmarrësit për ndarjen e buxhetit sipas kategorive, duke e bërë edhe krahasimin e rritjes së buxhetit për vitin 2022 që do të jetë më i lartë për 4.63%.
Qytetarët e Vitisë, kanë renditur si prioritet asfaltimin dhe ndriçimin e rrugës “Ylvi Demiri”, asfaltimin e rrugës “14 Qershori” në gjatësi prej 50 metrash, kërkesë për subvencionim të studentëve, konkretisht bursa për drejtime të ndryshme, si dhe një parking për taksistët në qendër të qytetit.
Ndërsa në Kabash, banorët si nevojë paraqitën rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, ku do të furnizoheshin banorët me ujë të mjaftueshëm të pijes dhe që ky rrjet të hyjnë në sistemin e menaxhimit nga ana e Kompanisë rajonale të ujërave “Hidromorava”.
Po ashtu, kabashasit paraqitën si kërkesë për investime edhe asfaltimin e rrugës kryesore Kabash-Viti, rregullimin e hapësirave gjelbëruese, rrethojën e varrezave të fshatit, si dhe rregullimin e katër rrugëve bujqësore.
Diskutimet Publike për hartimin e buxhetit, sonte vazhdojnë në Sadovinë të Jerlive prej orës 17:00 dhe në Sllatinë të Epërme nga ora 19:00. /2LONLINE.com/