Organizuar nga Kuvendit Komunal i Vitisë, konkretisht nga Komiteti për Politikë dhe Financa, sot në Viti, është mbajtur debati publik me qytetarë lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitin fiskal 2023 dhe vlerësimet e hershme për vitin 2024-2025.
Me këtë rast Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, tha se kontributi i qytetarëve është shumë i vlefshëm në hartimin dhe pasurimin e këtij dokumenti financiarë. Prandaj ai ju bëri thirrje që ata të kontribuojnë në këtë drejtim.
Ndërkaq, Besnik Imeri, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, duke prezantuar KAB-in, potencoi se buxheti komunal i Vitisë përbëhet nga dy burime kryesore si: nga grantet qeveritare dhe të hyrat vetanake komunale. Sipas këtij dokumenti buxheti i vitit 2023 në krahasim me buxhetin e vitit 2024, në tërësi ka shënuar rritje prej 13.52%. Buxheti në vitin 2021 ishte në shumë prej 12,490,686 euro, në vitin 2022 është në shumë prej 13,069,495 euro, në vitin 2023 është 14,836,358 euro, në vitin 2024 prej 15,766,412 euro dhe në vitin 2025 prej 16,379,381 euro. Këto të dhëna, kryesisht bazohen në të dhënat e përgjithshme buxhetore që planifikohen në nivel të Qeverisë nacionale siç parashihet me KASH-in 2023-2025.
Kurse Hasan Aliu, zv kryetar i komunës së Vitisë, foli rreth inkorporimit të sugjerimeve të dhëna. “Të gjitha sugjerimet e dhëna do të shikohen që të merren parasysh. Obligimi ynë është që të bëjmë një ndarje të drejtë të buxhetit, në veçanti te lista e investimeve kapitale”, u shpreh Aliu.
Drejtori Imeri, potencoi se ky dokument do të shkoj për shqyrtim edhe në Komitetin për Politikë dhe Financa dhe Kuvendin Komunal, si dhe para hartimit të buxhetit final ata do të mbajnë edhe diskutime publike me qytetarët për të marrë edhe mendimet e tyre, në veçanti në hartimin e listës për investime kapitale.
Në ketë takim ku morrën pjesë edhe anëtarë nga Komiteti për Politikë dhe Financa, u dhanë disa propozime si: rritja e buxhetit për shëndetësi, kulturë, rini dhe sport, por edhe në bujqësi, të ndahet një kod për pastrimin e varrezave dhe të tjera. Ndërkaq, si shqetësim u ngrit çështja e ngritjes së çmimeve, projektet afatgjate dhe vështirësit në përfundimin e tyre. /2LONLINE/