(2L ONLINE) – Me temë: “Siguria në rrugë-brengë e qytetarëve”, është mbajtur një takim publik me struktura të ndryshme qeveritare e joqeveritare lokale të komunës së Vitisë, ku është diskutuar për sigurinë e përgjithshme në trafik. Të pranishmit theksuan nevojën e vetëdijesimit qytetarë, e posaçërisht të nxënësve dhe ngasësve të automjeteve, pastaj vendosjen e shenjave të komunikacionit në ato vendbanime ku ato mungojnë, mirëmbajtja e rrugëve gjatë sezonit dimërorë nga organet kompetente, si dhe kompanitë private të bëjnë transportin e nxënësve afër shkollave të mesme në Viti.
Në këtë debat, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, toger Bulent Zenuni , ka theksuar se 80% të rasteve të aksidenteve ndodhin për shkak të shpejtësisë së madhe dhe mos respektimit të rregullave të komunikacionit.
Duke i bërë një krahasim periudhës së sivjetme 9 mujore me atë të vitit të kaluar, ka paraqitur një raport të policisë për periudhën janar-tetor 2014, ka përmendur se këtë vit ka një rritje të numrit të aksidenteve për 8 raste.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë për Ekonomi e financa Ibrahim Rama, ka njoftuar të pranishmit mbi intervenimet e komunës në infrastrukturën rrugore, ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimet e rrugëve. Ndërkohë që ka bërë të ditur se investime të ngjashme janë paraparë edhe në buxhetin e vitit 2015 me një vlerë rreth 1 milion euro.
Ndërkaq Bushat Zuka nga inspektorati i trafikut ka përmendur angazhimet e inspektoratit të trafikut, e në veçanti ka përmendur vendosjen e zebrave në qytet dhe shenjave të komunikacionit në trafikun vitias.
Ai me këtë rast ka theksuar edhe shqetësimet e tjera që rrezikojnë jetën e qytetarëve në rrugë siç janë : shtimi i automjeteve, dëmtimi i rrugëve, mungesa e transportit publik, vendkalimet e rrezikshme në qytet e të tjera.
Ky takim publik u organizua nga OJQ,,Elita” në Viti dhe në përkrahje të Institutit Demokratik të Kosovës. /2L ONLINE/