Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia e fillimit të ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ’23”, me ç’rast FSK do të tregojë kapacitetet e saja luftarake, e po ashtu shkallën e ndërveprimit ushtarak.
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore, duke filluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, gjenerali amerikan, gjeneral brigade, Derek Adams, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjeneralë të FSK-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe ambasadorë, atashe ushtarakë, si dhe oficerë të lartë të shteteve partnere.
Kjo ceremoni filloi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe aleatit tonë kryesor strategjik, SHBA-së, të luajtur nga orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Fillimisht, mysafirëve të ftuar në këtë ceremoni, iu drejtua Presidentja Osmani, e cila në mes tjerash, theksoi se objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje është shfaqja e fuqisë ushtarake, për të siguruar paqen dhe se ky ushtrim është kujtesë se forca nuk qëndron vetëm në armë, por edhe lidhjet tona dhe aleancën e përbashkët.
Ndërsa, Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha se “Defender Europe 2023” është ngjarja më e madhe ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë dhe se FSK në këtë ushtrim, radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse, sa i përket numrit të personelit të angazhuar.
Më tej, Kryeministri Kurti potencoi se kjo është dëshmi e vullnetit për ndërtim të kapaciteteve të mbrojtjes dhe përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.
Duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, theksoi se përgatitjet për realizimin e suksesshëm të “Defender Europe ‘23” kanë filluar qe një vit e gjysmë dhe se trajnimet e vazhdueshme, investimi në blerje të pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, shkollimet dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe i kanë paraprirë këtij ushtrimi.
“Për ne është shumë e rëndësishme që ngritjen e kapaciteteve tona ta bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s, sepse rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetëm, anëtarësimi në NATO. Prandaj ne do të përmbushim çdo detyrë e obligim që të jemi pjesë e kësaj familje të madhe”, tha Ministri Mehaj.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, në fjalën e tij, theksoi se kjo ngjarje është arritje e madhe e Kosovës dhe paraqet përforcim të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës dhe se ky ushtrim është përpjekja më ambicioze që FSK-ja ka ndërmarrë deri më sot.
Ushtrimi ndërkombëtar ushtarak “Defender Europe ’23” do të mbahet nga data 21 maj deri me 2 qershor, ku do të jenë pjesëmarrës 25 shtete me mbi 22 mijë ushtarë. Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1300 ushtarë. /2LONLINE/