Në kuadër të përvjetorit të katërt të ndarjes nga jeta të poetit Ramadan Musliu, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti organizoi aktivitetin letrar “Metamorfoza e vjeshtës.” Kjo ngjarje u mbajt për të kujtuar dhe nderuar veprën dhe trashëgiminë e këtij krijuesi të njohur në letërsinë shqiptare.
Në këtë orë letrare, përveç fjalimeve përkujtimore për jetën dhe veprën e Ramadan Musliut, u bë edhe promovimi i veprave të tij. Shkrimtarë, studiues dhe adhurues të letërsisë nga mbarë Kosova dhe rajoni u mblodhën për të ndarë mendimet e tyre mbi ndikimin e tij në letërsinë bashkëkohore shqiptare, duke vlerësuar kontributin e tij të vyer në pasurimin e kulturës dhe poezisë shqiptare. Fjalën hyrëse e mbajti kryetari i SH.SH.K “Ramadan Musliu, Fadil Abazi, ndërsa folën edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, shkrimtari Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Zymrie Salihu etj.
Aktiviteti “Metamorfoza e vjeshtës” u përmbyll me lexime poetike në orën letrare dhe diskutime rreth veprave të Musliut, duke e lënë të gjallë frymën dhe mesazhin që ai përcolli përmes krijimtarisë së tij.
Përndryshe sot, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti me bashkëpunëtor, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek varri i poetit Ramadan Musliu. /2LONLINE/