Në 20 vjetorin e vdekjes së Milaim Bajramit, ish-kryetar i komunës së Vitisë në vitet 1967-1968, udhëheqës i Ndërmarrjes “Agromorava”, drejtor i Ekonomisë së Pyjeve në Komunën e Vitisë dhe drejtor në Ndërmarrjen “Banja e Kllokotit”, u zhvillua një akademi përkujtimore me titullin “Udhëheqës në kohë të vështira”, për të nderuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e rajonit dhe shërbim të komunitetit.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, theksoi rëndësinë e Milaim Bajramit si udhëheqës dhe njeri që ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik dhe social të komunës, veçanërisht në periudhën e vështirë të viteve ’60. Ai e vlerësoi Bajramin për menaxhimin e suksesshëm të resurseve natyrore dhe zhvillimin e infrastrukturës në Viti.
“Kontributi i Milaimit për qytetarët e Vitisë, ishte në një kohë të vështirë të historisë sonë, prandaj edhe emri i dokumentarit premier që po jepet sot ‘Udhëheqës në kohë të vështira’ është shumë i qëlluar. Megjithatë, kjo nuk e ndali atë të kontribuonte për vendin e tij, duke u bërë një personalitet i respektuar që dha shumë për Vitinë”.
Kryetari Haliti më tej theksoi se angazhimi i Milaim Bajramit në pozita të ndryshme, gjithmonë ishte i vlerësuar për punën dhe angazhimin e tij profesional. Ai kujtoi se një kohë Milaimi ka qenë edhe drejtor i kooperativës bujqësore, ku tregoi aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
“Rruga e tij drejt suksesit vazhdoi pa u ndalur dhe ai më pas u zgjodh kryetar i komunës së Vitisë. Gjatë mandatit të tij si kryetar, ai kontribuoi në përmirësimin e infrastrukturës së komunës, duke sjellë asfaltimin e rrugëve të rëndësishme, si rruga Kllokot-Viti dhe rruga kryesore e qytetit. Milaimi ishte gjithashtu një vizionar për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, si dhe në hapjen e shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në Viti, një hap historik që i dha mundësi brezave të rinj të arsimoheshin në gjuhën e tyre amtare.
Avdullahman Sokoli, veteran i arsimit, ndau kujtime dhe reflektime për veprimtarinë e Milaim Bajramit, duke folur për punën e tij si lider dhe ndikimin që kishte ai në arsimin dhe zhvillimin e shoqërisë së asaj kohe.
Në emër të familjes Bajrami, Ali Bajrami përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për nderimin e të atit të tij, duke kujtuar vlerat dhe mësimet që ai ka lënë pas.
Ai theksoi angazhimin e familjes për të mbajtur gjallë kujtimin për figurën e Milaim Bajramit dhe për të promovuar trashëgiminë e tij.
Gjatë akademisë u shfaq premiera e filmit dokumentar kushtuar Milaim Bajramit, i realizuar nga produksioni “Rino Art”.
Ky film përshkruan jetën dhe veprën e Milaim Bajramit, duke nxjerrë në pah sfidat dhe arritjet e tij gjatë periudhës kur ai udhëhoqi institucione dhe ndërmarrje të rëndësishme në Viti.
Për punën në finalizimin e filmit, foli Selajdin Osmani, i cili ndau sfidat dhe kënaqësitë e krijimit të këtij dokumentari që synon të ruajë kujtimin për një personalitet të tillë të rëndësishëm për komunitetin. /2LONLINE/