Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Abduselami Shkodra, mori pjesë në lansimin e projektit për avancimin e të drejtave të njeriu në Policinë e Kosovës.
Ky projekt, i cili bashkë financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, do të zbatohet në partneritet me MPB-në, përkatësisht Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor.
Zëvendësministri Shkodra, me këtë rast tha se duke u bazuar në orientimin liberal demokratik kushtetues që ka Kosova, dhe obligimet që merr si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, ka ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që dalin nga e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përfshirë këtu edhe respektimin e te drejtave të njeriut nga organet e rendit, gjatë zbatimit të ligjit.
”Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, bashkëpunon ngushtë edhe me institucionet relevante dhe shoqërinë civile për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Shkodra.
Megjithatë, zëvendësministri Shkodra theksoi se ka ende nevojë për përmirësime si në aspektin ligjor e rregullative, ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve humane e profesionale, për të rritur cilësinë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe për të krijuar kulturë që ka në prioritet mbrojtjen e drejtave dhe lirive të njeriut.
Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e mbrojtjen së të drejtave të njeriut nga policia dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të kontrollit të pavarur policor.
Projekti pritet të përfundojë deri në 30 prill të vitit të ardhshëm, me një buxhet të përgjithshëm prej 600 mijë eurosh.