Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e lansimit të Pilot-Projektit për Lidhjen e Qytetarit me Adresë Unike.
Me këtë rast, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil, z. Blerim Camaj, theksoi se sot po lansojmë një projekt shumë të rëndësishëm atë të lidhjes së qytetarëve me një adresë unike.
Ai tha se për këtë pilot-projekt fillimisht janë përzgjedhur dy komuna, ajo e Mitrovicës dhe Istogut, pa të cilat është e pa mundur të realizohet ky projekt. Camaj theksoi se pret mbështetjen e këtyre komunave që të ketë sukses ky projekt, në mënyrë që të bëhet me e lehtë pastaj të shtrihet në të gjithë Kosovën.
Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Hysen Durmishi, theksoi se ky është një projekt shumë i rëndësishëm, duke marr parasysh se këto janë edhe kritere sa i përket reformave për integrimet evropiane.
Zëvendësministri Durmishi vuri në dukje se përmes këtij procesi do të mundësohet shfrytëzimi i adresave zyrtare dhe unike nga qytetarët dhe eliminon problemet e deritanishme me adresa dhe mundësohet ofrimi i shërbimeve më kualitative dhe të shpejta për qytetarët.
Ndërsa përfaqësuesja e ambasadës së Gjermanisë në Kosovës, znj. Vera Baumann, theksoi rëndësisë që ka ky projekt, pikërisht në procesin që është duke kaluar Kosova në integrimet evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Ajo theksoi përfitimet që vijnë nga ky projekt dhe për këtë falënderoi për bashkëpunim edhe komunat që janë përzgjedhur në këtë pilot-projekt.
Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, vuri në dukje se komuna e Mitrovicës, do ta marr me seriozitetin më të madh realizmin e këtij projekti. Ai tha se është i gatshëm që të mbështesë edhe financiarisht me fonde të komunës, ekipet që do të marrin pjesë në terren sidomos në zonat rurale.
Ky projekt është mbështetur nga organizata qeveritare gjermane GIZ. /2LONLINE/