Me një ceremoni solemne e në prani të udhëheqësve komunal, stafit shëndetësor të QKMF-së në Viti, përfaqësuesve të Shoqatës Ekonomike Kulturore “Qëndresa Kosovare”, banorëve të Tërpezës, e mysafirëve të shumtë, u inaugurua ambulanca e fshatit në Tërpezë.
Në këtë ngjarje, i pranishëm ishte edhe drejtori i Komitetit kuvajtian për Evrope dhe Amerikë, z.Mahmud Al Najad, si dhe Islam Cakaj drejtor i Shoqatës Ekonomike Kulturore “Qëndresa Kosovare”.
Duke marrë fjalën në këtë solemnitet, kryetari i komunës Sokol Haliti, mes tjerash tha se është ditë e veçantë për banorët e Tërpezës, sepse po finalizohet një projekt që ka për qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore për ta.
“Investime të tilla, janë një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e këtyre zonave. Pra kemi nevojë për këso projektesh, sepse njerëzit kur ballafaqohen me një problem, shohin gjithashtu një mundësi. Pavarësisht se këtu ishte ambulanca e fshatit me një objekt jo adekuatë për të kryer shërbimet e nevojshme, megjithatë ndërtimi i objektit të ri shihej si nevojë, e dikush pa një mundësi. Është Shoqata Ekonomike Kulturore “Qëndresa Kosovare” në Kosovë, që ka implementuar projektin e donacionit të Qeverisë së Kuvajtit e në bashkëfinancim me komunën e Vitisë”, është shprehur Haliti.
Më tej, ai ka falënderuar popullin kuvajtian, por edhe gjithë organizatorët për punën që kanë bërë.
Kurse drejtori i Komitetit kuvajtian për Evrope dhe Amerikë, z.Mahmud Al Najad, u shpreh se ndjehet i gëzuar për implementimin e suksesshëm të këtij projekti që ka të bëjë me fushën e shëndetësisë.
“Shteti i Kuvajtit, ka qenë, është e do të mbetet i përkushtuar që të mbështes projekte që kanë të bëjnë me mirëqenien e popujve anekënd botës. U jemi mirënjohës donatorëve, por njëherit falënderojmë komunën e Vitisë, për gatishmërinë e treguar, iniciativën dhe bashkëfinancimin, si dhe gjitha ata që kanë kontribuuan që ne me sukses ta finalizojmë këtë projekt, për ndërtimin e ambulancës këtu në Tërpezë”, tha Al Najad.
Ndërsa Islam Cakaj nga shoqata “Qëndresa Kosovare”, uroj banorët e Tërpezës për objektin e ri të ambulancës, si dhe ka falënderuar drejtoreshën e QKMF-së Vjollca Kadollin, për iniciativën dhe kontributin e dhënë që nga fillimi e deri në finalizimin e projektit.
Ndryshe, sipas drejtoreshës së QKMF-së në Viti, dr. Vjollca Kadolli, aktualisht në komunën e Vitisë janë hapur 10 ambulanca shëndetësore dhe se pritet që në të ardhmen të rishikohen nevojat për hapjen edhe të punkteve të tjera nëpër lokalitete ku paraqitet nevoja.2LONLINE.com/