Është hapur të hënën Qendra e Karrierës në shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai” në Gjilan, e cila do të shërbejë për zhvillimin e aftësive dhe arsimin profesional.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi ka përuruar Qendrën e Karrierës, ka thënë se ky është një projekt tejet i rëndësishëm për nxënësit.
“Është kënaqësi që po e përurojmë sot Qendrën e Karrierës, një angazhim i gjatë ky i Komunës dhe i Drejtorisë së Arsimit. Ky është një projekt tejet i rëndësishëm për nxënësit tanë. Si Komunë kemi marrë përkushtim të veçantë në edukimin profesional, ndërkohë që pas shumë investimeve qe kemi bërë ne si Komunë në vlerë prej mbi 200 mijë euro, e gjejmë shkollën e mesme teknike në një gjendje më të mirë se sa që ka qenë në 20 vitet e fundit”, tha kryetari Hyseni.
“Uroj nxënësit e kësaj shkolle, por edhe të shkollave të tjera që ta shfrytëzojnë këtë Qendër, këtë mundësi që ofrohet këtu, në mënyrë që e ardhmja jonë të jetë edhe në duar të sigurta, por, para së gjithash, edhe orientimi në karrierë do të bëhet njëra prej punëve që do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ka shtuar ai.
Në këtë takim kanë folur edhe drejtoresha e DKA-së në Gjilan, Albana Demiri, drejtoresha e shkollës “Mehmet Isai”, Lumnije Tahiri, menaxherja e Qendrës së Karrierës, Luljeta Huruglica – Shkodra, përfaqësuesi i
MASHT’it, Lah Nitaj, sikurse edhe Valbona Rraci, përfaqësuese nga Ambasada e Zvicrës e përfaqësuesja e organizatës për rritjen dhe fuqizimin e të rinjve EYE, Albina Berisha. /2LONLINE/