Organizuar nga Ministria e Diasporës, sot në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, u hap panairi me veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale, me moton “Ti je pjesë e atdheut”.
Në këtë panair, punimet dhe prodhimet e tyre i prezantojnë 55 shoqata të grave nga Kosova dhe Shqipëria.
Përmes këtij panairi, që karakterizohet për veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale, bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.
Hapjen e panairit e bëri ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili tha se tashmë ky aktivitet nga viti në vit po bëhet tradicional.
“Ky panair është pjesë e aktiviteteve tona të mirëseardhjes për bashkatdhetarët, të cilët vijnë për pushime në atdhe. Me gjithë sfidat, bashkatdhetarët tanë janë të prirë që gjërat tradicionale, qoftë veshjet, ushqimet e shenjat kombëtare t’i kultivojnë, ta ruajnë identitetin kombëtar e kulturor, por edhe ta promovojnë këtë kulturë e identitet edhe ne vendet ku jetojnë”, theksoi ministri Murati.
Panairi do të qëndrojë i hapur nga dita e sotme deri më 15 korrik.
Në kuadër të këtij panairi, më 14 korrik do të zhvillohet edhe një aktivitet tjetër –sofra tradicionale, me rapsodë të folklorit.