(2L ONLINE) – Është mbajtur sot seancën e shtatë me radhë e Kuvendit Komunal të Vitisë, me që rast u debatua për pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-qershor 2014, rreth testit të maturës, si dhe është raportuar për punën gjashtë mujore të kryetarit të komunës Sokol Haliti.
Ndër pikat që është diskutuar më së shumti ka qenë ajo e raportit të punës së kryetarit të komunës për 6 mujorin e kaluar, ku kryetari Haliti ka saktësuar aktivitetet dhe punën e kryer gjatë kësaj periudhe duke përfshirë edhe projektet, takimet e realizuara, bashkëpunimin me institucionet tjera etj.
Në këtë drejtim, Haliti ka përmendur bashkëpunimin e mirë të Institucioneve me organizatat e ndryshme, që sipas tij e kishin lënë anash Vitin deri më tani.
Ai ka përmendur edhe takimet e ndryshme që ka zhvilluar me personalitete, zyrtar të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, mandej takimet me media, konferenca për shtyp etj.
Duke folur për projektet që janë në realizim e sipër, Haliti ka theksuar se janë duke u angazhuar që çdo projekt i nisur të përfundoj si duhet. Kurse për ligjshmërinë e vendimeve të marra nga Institucionet komunale, ai ka njoftuar për vlerësimin tejet të mirë që i është dhënë vendimeve të marra këtë vit nga qeveria aktuale, duke cilësuar të gjitha vendimet të bazuara ligjërisht.
Disa nga këshilltarët e opozitës vlerësuan raportin e kryetarit si një përshkrim të aktiviteteve dhe jo përmbajtsor, përderisa disa këshilltar të tjerë po ashtu nga opozita e kanë cilësuar si raport ne detaje dhe i pasqyruar mirë.
Kryetari Haliti, ka falënderuar të gjithë instancat për bashkëpunimin tejet të mirë më autoritetet komunale. /2L ONLINE/