Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka mbajtur takim të Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë kryeprokurorët, përfaqësues të prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me të cilët diskutuan çështje të ndryshme profesionale.
Gjatë këtij takimi u diskutua për përgatitjet që po bëhen për zbatimin e Kodit të Ri të Procedurës Penale. Me theks të veçantë u diskutua për ndryshimet që parashihen me Kodin e ri të Procedurës Penale, për sfidat dhe vështirësitë me të cilat mund të ballafaqohen prokurorët në fillim të zbatimit të ndryshime të parapara me këtë Kod.
Po ashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për politikën ndëshkimore. Lidhur me këtë çështje Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët angazhim të shtuar në përcjelljen e punës së prokurorëve sa i përket ankesave dhe propozimeve të tyre në fjalët përfundimtare për politikën ndëshkimore, konkretisht kërkoi angazhim në rastet ku kemi të bëjmë me recidivist.
Edhe përdorimi i sistemit për menaxhimin e lëndëve në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës ishte temë tjetër e diskutuar gjatë këtij takimi. Edhe sa i përket kësaj çështje Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që të përcjellin dhe të obligojnë prokurorët që ta përdorin këtë program të njohur si SMIL. /2LONLINE/