(2L ONLINE) – Klubi i basketbollit në karroca ‘’Drita’’ në bashkëpunim me disa biznese vendore, Ministrinë e Kulturës dhe Kuvendin Komunal të Gjilanit, do të organizon turneun ndërkombëtarë ‘’28 nëntori’’ për personat me nevoja të veçanta.
Për të nderuar Ditën e Flamurit kombëtar dhe për të integruar personat me nevoja të veçanta afër shoqërisë është paraparë turneu i parë i këtij lloji që më datën 28 dhe 29 nëntor do të mbahet në Gjilan. Pjesëmarrës në këtë turne do të jenë shtatë skuadra pjesëmarrëse të cilat e kanë konfirmuar ardhjen, ndërkohë sistemi i turneut do të jetë me eliminime.
Përfaqësuesi i KBK Dritës, njëherësh edhe kapiteni i kësaj skuadre, Florim Demi thekson për ‘2L ONLINE’’ se përgatitjet ndodhen në fazën finale dhe tani mbetet veç se informimi i publikut i cili iu duhet në masë të madhe për ta bërë sa më madhështorë këtë turne.
‘’Kemi fituar një projekt për të organizuar turneun ndërkombëtarë në basketboll për personat me nevoja të veçanta. Falë disa bizneseve në vend (IPKO e EcoHigjiena), Ministrisë së Kulturës dhe Kuvendin Komunal të Gjilanit ne kemi përfunduar një pjesë bukur të madhe të organizimit i cili bëhet pikërisht për integrimin e personave me nevoja të veçanta në vend. Këtë turne priten ta nderojë edhe pjesëmarrja e klubit të famshëm slloven Maribor, ndërkohë të ftuar janë edhe Black Eagles nga Tirana, Kastrioti nga Ferizaj, Prishtina nga Prishtina, Vllaznimi nga Gjakova dhe Marsi nga Prizreni’’.
Për të qenë sa më madhështor turneu, Demi u bën ftesë të gjithë sportdashëse gjilanas që më datën 28 dhe 29 të jenë ne Palestrën e Sporteve në Gjilan për të festuar së bashku me ta.
‘’Turneu do të fillojë më datën 28 nëntor në ora 10:30, me ç’rast do të bëhet edhe hapja e evenimentit, ndërkohë finalja është e paraparë të luhet më datën 29 me fillim nga ora 12:30. Përkrahja e madhe e publikut do të ishte motivacion shtesë për ne pasi nuk duam që të kalojë edhe ky turne duke mbetur nën hije pa u vërejtur nga askush, prandaj u bëj ftesë të gjithë sportdashësve që të vijnë dhe të festojnë së bashku me ne’’, u shpreh Demi.
Gati edhe për ligë
Klubi i Dritës njihet si një ndër klubet më të organizuara në vend dhe rajon. Kampioni absolut në vendin tonë si dhe fitues i disa turneve mbarëkombëtare është i gatshëm për fillimin e një lige për personat me nevoja të veçanta.
Me regjistrimin e disa klubeve të reja, gjithçka është gati për fillimin e një lige duke u dhënë kështu sinjal të qartë Ministrisë së Kulturës dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës, se njëra nga kërkesat e FIBA-së, për të pasur ligën për persona me nevoja të veçanta është gati.
‘’Ne jemi të gatshëm për organizimin e një lige për personat me nevoja të veçanta tani e disa kohë. E kemi dëshmuar me aktivitet dhe organizimet tona se jemi klub që taman i plotësojmë të gjitha kriteret, duke u nisur nga karrocat speciale, rekuizitat e gjithçka tjetër. Ky organizim do të shërbejë si sinjal për Ministrinë e Kulturës e për Federatën e Basketbollit të Kosovës që të organizojë ligën e basketbollit në karroca, e cila është edhe kusht për pranim në FIBA’’, potencoi Demi.
Ftesë për integrim
Sa i përket basketbollistëve të Dritës, kapiteni Demi shprehet se janë në formë të mirë dhe mezi presin fillimin e turneut, për këtë arsye ata kanë shpeshtuar edhe orarin e stërvitjeve në mënyrë që të jenë në formën më të mirë.
‘’Jemi gjithsej nëntë lojtarë, por nuk e përjashtojmë mundësinë edhe të shtohemi. Përkundrazi u bëjmë thirrje të gjithë personave me nevoja të veçanta të në bashkëngjiten. Ne stërvitemi tri herë në javë në Palestrën e Sporteve, por tani kemi rritur intensitetin e punës dhe kemi filluar të ushtrojmë nga katër herë në javë për shkak të turneut. Shpresojmë të shfaqim lojra të mira dhe pse jo ta fitojmë edhe krejt turneun që do të ishte mirënjohja më e mirë për organet të cilat po na mbështesin vazhdimisht’’, përfundoi Demi.
/ Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/