Në tubimin zyrtar në kuadër të fushatës zgjedhore të degës së AAK-së në Komunën e Dardanës, në prani të qytetarëve dhe simpatizantëve të shumtë të këtij subjekti është bërë prezantimi i kandidatëve garues për Asamble Komunale në zgjedhjet e 22 tetorit.
Prezenca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, njëherit kryetar i AAK-së z. Ramush Haradinaj, është përcjellë me duartrokitje e ovacione të gjata nga të pranishmit, duke e bërë akoma më madhështorë këtë tubim masovik.
I shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së në Parlamentin e Kosovës z. Ahmet Isufi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, z. Haradinaj ka konfirmuar para të pranishmëve përkushtimin e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e projekteve zhvillimore të komunës së Dardanës, duke u bazuar dhe fokusuar në programin zhvillimor të prezantuar nga ana e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, z. Faton Jakupi.
Pasi ka vlerësuar lart profilin e tij si personalitet ambicioz e të përkushtuar dhe profesionist të dëshmuar, Kryeministri Haradinaj ka thënë se do të ketë shumë më shumë investime nga c’është proklamuar nga ana e vet z. Jakupi, ndërkohë që Dardanën dhe Anamoravën në përgjithësi e ka cilësuar si rajon të lënë anash në të kaluarën.
“I kam premtu Fatonit që menjëherë kemi me fillu me projekte. Ju tashmë e dini se në cilën derë do të trokisni”, ka vijuar z. Haradinaj, gjersa ka shfaqur publikisht gatishmërinë e tij dhe institucioneve qendrore për të shqyrtuar seriozisht kërkesat e qytetarëve të Dardanës..
Ndërsa kandidati i AAK-së për kryetar të Dardanës Faton Jakupi, para simpatizantëve të shumtë prezentë, synim parësorë ka thënë se do të ketë mbështetjen e sektorit të bujqësisë me grante e subvencione, infrastrukturë cilësore të mbikëqyrur teknikisht, derisa është shprehur decidiv se vëmendje të veçantë do t’i kushtojë sektorit të kulturës dhe sportit, për të cilët sektorë ka thënë se do të udhëhiqen nga njerëz kompetentë e profesionistë.
Përpos synimeve për këto fusha, z. Jakupi ka shpalosur edhe vizionin e tij në krye të komunës së Dardanës, duke radhitur prioritetet si: zgjidhjen përfundimtare të ujit të pijshëm 24 orë në ditë; depolitizim dhe cilësi në arsim; shërbime efikase shëndetësore, si dhe një sërë çështjesh tjera jetike për qytetarët e kësaj komune, në funksion të një qeverisjeje krejtësisht ndryshe nga qeverisjet e kaluara.
Sponsorizuar AAK