Në kuadër të aktiviteteve të “Flakës së Janarit 2018”, Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Gjilan, në nderim të figurës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, në 550-vjetorin e vdekjes së tij, ka organizuar tryezën shkencore kushtuar kësaj figure kombëtare.
Në ambientet e shkollës “Don Bosko”, ku u mbajt kjo tryezë, në emër të organizatorit dhe të kryesisë së punës të këtij sesioni shkencor, ka folur Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, i cili ka përgëzuar Komunën e Gjilanit dhe kryetarin Lutfi Haziri, për bashkëpunim me historianë dhe për organizimin e përbashkët të kësaj ngjarje, duke vlerësuar faktin që në kuadër të organizimeve të “Flakës…” janë përfshirë edhe aktivitete nga fusha e historisë.
Ai tha se, meqë viti 2018 nga dy shtetet shqiptare është shpallur “Viti i Skënderbeut”, atëherë edhe “Flaka e Janarit” i kushtohet heroit tonë kombëtar, ku epoka e tij është një ndër epokat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Rexhepi tha se në këtë tryezë do të referojnë studiuesit të cilët me kumtesat e tyre shkencore do të shpalosin rezultatet konkrete për aspektet e caktuara të epokës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.
Ndërsa, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, të pranishmit i ka përshëndetur Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuesja e sapozgjedhur e Kuvendit Komunal, e cila u ka dëshiruar të gjithëve mirëseardhje në tryezën që po mbahet për të nderuar figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
“Edhe këtë vit, “Flaka e Janarit” vjen para jush mjaft e pasur me aktivitete, ku pjesë e veçantë është edhe kjo tryezë, në të cilën do të referojnë historianë me emër, për heroin kombëtar – Skënderbeun”, ka thënë Shpresa Kurteshi – Emini.
Përndryshe, para të pranishmëve, me kumtesat e tyre u paraqitën: Muhamet Mala, me temën: “Konteksti çlirimtar dhe fetar i luftës antiosmane të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, Fehmi Rexhepi, me temën: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij”, Bedri Muhadri me temën: “Shteti i Skënderbeut dhe marrëdhëniet politike me shtetet e tjera”, Naim Musliu me temën: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu simbol kombëtar në Rilindjen Kombëtare Shqiptare (1830 – 1912)”, Ilir Vokshi me temën: “Strategjia luftarake e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, Besnik Kurteshi me temën: “Roli unifikues i Skënderbeut në kuvendin e Lezhës” dhe Kushtrim Jakupi me temën: “ Figura e Skënderbeut në krijimtarinë muzikore”.