Biblioteka e Shkollës së Mesme të Artit Pamor “Adem Kastrati”, sot është pasuruar me një kontingjent të rëndësishëm librash të fushës së artit. Kjo falë donacionit nga Liceu Klasik dhe Gjuhësor “Vincenzo Gioberti”, Akademisë së Arteve të Bukura “Albertina”, si dhe Liceut Shtetëror Artistik “Aldo Passoni”, që të tria nga qyteti i Torinos.
Librat janë sjellë në këtë shkollë nga profesoresha Raffaela Rittuci, që ishte edhe nga më meritoret e këtij realizimi si dhe Alessandro Sorrentino, oficer i karabinierëve në misionin e KFOR-it.
Roland Mosurica, drejtor i shkollës ka thënë se librat do jenë një ndihmesë e madhe për nxënësit, pasi, falë këtij donacioni, mundësitë e shfletimit dhe përdorimit të literaturës nga fusha e arteve pamore, për ta, do të jenë më të mëdha, transmeton 2LONLINE.com.
“Unë gjithsesi e falënderoj profesoreshën e artit Raffaela Rittuci por edhe ambasadën italiane këtu në Kosovë e karabinierët, të cilët kanë mundësuar sjelljen e librave nga Italia këtu”, ka thënë ai duke treguar mirënjohje edhe për Adil Rexhën, punëtor në Ambasadën italiane, i cili ka vënë shkollën tonë në kontakt me profesoreshën Raffaela.
Në shenjë respekti për kontributin, shkolla ka ndarë mirënjohje për tri shkollat italiane të artit, profesoreshën e artit Raffaela Rittuci si dhe Alessandro Sorrentino, oficer i karabinierëve si dhe ka shtruar një koktej simbolik për ta.
Paraprakisht, mysafirët italianë, patën mundësi të shihnin një ekspozitë me punimet e nxënësve të kësaj shkolle. /2LONLINE/