Femi HALIMI
Rrobat janë për të veshë e mbuluar trupin, për shkak të temperaturave por edhe për të fshehë pjesë të trupit që nuk duhet të shihen. Njeriu kështu dallohet nga të gjitha gjallesat e tokës sepse veshë trupin përveç fytyrës e duarve. Merreni me mend, sikur njerëzit të qëndronin e ecnin pa rroba?! Rrobat kështu janë pjesë e trupit të njeriut, sa edhe e bëjnë trupin a njeriun, si që thonë modelistët francezë të rrobave!
Deri në kohën e re njerëzimi i gjithi bënte rrobat vetë si mundte, nga leshi e lëkura dhenve, dhive e kafshëve tjera. Lini i e kanpi përpunoheshin e me to bëheshin rroba shumë të përshtatshme për trup e për çdo stinë. Nuk kishte më parë shitore tekstilesh e shtëpi mode!
Rrobat si janë tani nga shtofrat e stilet nisën në Francë, aty e bënë epokën e re të njerëzimit, mandej në gjithë botën, -dhe me to njerëzit arritën veshje trupi me shumë mjeshtri, sharmë e lehtësi bartjeje e përdorimi të shumëfishtë. Me to mandej erdhën edhe sapunët e detergjentet për larjen e pastrimin si dhe për mirëmbajtjen e tyre…
-II-
Edhe tek ne në popull tonë në kohëra të vjetra rrobat ishin gjithmonë të bëra me shumë lloje e mjeshtri dhe kushtuar stinëve e moshave dhe për të cilat u zhvillua shumë dituri për bërjen e tyre, -sa që konsiderohet se rrobat e leshta e të linta janë me prejardhje ilire për tërë botën. Edhe vetë papa e shërbtorët tjerë të radhës e rangut në besim të krishterë kanë trashëgim dollamën e kapuqin nga veshja ilire e Dalmacisë.
Leshniku e pelerina ishin rroba kryesore për gjithë kohën e njerëzimit dhe për popullin tonë dhe për këtë ka një tregim që e zgjodha për lexim e pushim për ata që e duan tregimin, e sikur në një ndejë!…
Leshniku ishte një rrobë e gjitha kohëve, e bërë nga leshi i dhive a deleve, që e bartnin burrat në punët e rënda jashtë në vjeshtë e dimër. Vetë emri i veshjes tregon se ishte nga leshi e bërë. Leshniku ishte shpëtim për jetët e njerëzve sepse mbante trupin nxehtë në mot sado i ftoftë të ishte. Ishte i rëndë paksa por duhej për trupin dhe ishte rroba më e mira për njerëzit.
Quhej leshnik sepse bëhej nga leshi dhe këtë na e mëson gjuha vetë. Ishte edhe gunë, thënë ndryshe. Ishte prej leshi, me mëngë të zbukuruara a pa zbukurim fare, që u kushtohej shërbëtorëve, e që shkonte me një mbulesë kapuq a plis për kryet, me qorapet e gjata deri nën gjunjë, si dhe me mbathje opanga me majë. Njihej me disa emra: gunë çile -e dhirtë, me lesh dhie, -për barinj e shërbëtorë, e zanatlinj; gunë larë; tallagane; tamare; po të ngjashme për nga materiali e funksiuoni e në formë pelerine e për mot të ftoftë ishin: bërruci e sharku -në Labëri, japanxha e bardhë e burrave në Kosovë, tallagani i grave në malësi të Madhe, e tjera.
Sipër të gjithave, veshja mbulesë më e vjetra shqiptare konsiderohet “Xhubleta”, e hasur në Malësi të Veriut e në Veriperëndim në vazhdim Adriatikut e Maleve Dinare. Sikur xhubleta në veshje ishin edhe këmisha e gjatë, struka e pelerina e gjatë, me mbathje me opanga të ndryshme e me e pa majë.
Ishte edhe “pelerina”, që ishte njësoj si leshniku, që mbulonte gjithë trupin deri nën gjunjë, por që ishte e hollë dhe e thurrur me shumë mjeshtri, e që vishej për festa e kremte, por që e bartnin edhe shërbëtorët e tempujve të besimit.
Ishte në këto me rëndësi që të bëheshin, thureshin nga lini apo kanpi, sepse ishin të shëndetshme sa në Shkrim të shenjtë vetë kërkohet që rrobat të bëheshin nga lini e kanpi. Sigurisht se lini e kanpi ishin të shëndetshëm dhe të bërë për mbrojtjen e trupit të njeriut si më së miri.
Veshja tregonte edhe statusin e njeriut në bashkësi. Veshja ishte e ndryshme, sipas statusit të njerëzve dhe pozitave e detyrave që kishin. Për më tej, kishte rroba ndeje, rroba pune dhe rroba për festa e kremte. Secili e kishte rrobën e vet, sipas statusit se kush ishte e çka bënte. Ai që kishte një zeje e shërbim kishte rroba të veçanta, e me vete mbante dhe veglën me të cilën e bënte shërbimin e zanatit.
Mbi të gjitha, rroba ishte që prej njerëzve të lirë -e deri tek shërbtorët e rangjeve të ndryshme për seciln rend e rang, e zanat dhe sa më i përulur e me punë më të rëndë që ishte dikush -të tillë të thjeshtë e kishte edhe veshjen. Do të thotë se veshja nuk ishte edhe kështu krejt romantike e sugjestionuese si që merret tani përnjëherë, porse ishte edhe identifikim i njerëzve me shumçka në jetë në bashkësi!…
Kështu është edhe tani!…Tani janë rrobat me kat komplete, me nivel superior të përpunimit e dizajnimit si dhe me thurrje magjike e shumë të hijshme. Kemi por edhe rrobat tani të thjeshta boheme që u lansuan viteve të kohës së Bitëllsve e këndej, kur e ku rinia rrobat i muar për simbol lirie e drejtësie, solidariteti e afërsie në gjithë botën, sa në këtë në ekstrem dualën rrobat e grisura ngapak dhe që të tillat për më tepër u çmuan më fort se rrobat standarde të magjishme nga shtofie mallrat tjera superiore.
Në ato kohë gjithçka ndryshoi, që nga veshjet në kombinim e stilet e deri te katet e që u aplikua sëpari në Francë me veshje të re për gjithë botën, me qepje e me hekurosje me një hijeshi sa më të madhe të rrobave.Lini e kanpi por mbetën edhe në histori po edhe në kohën e re themeli i materialeve për bërjen dhe qepjen e rrobave.
Këto dyja veshjet tregonin edhe pozitat e njerëzve dhe fuqinë e pasurisë së tyre, sa ishin edhe gurë sinoresh nëmes njerëzve. Zakonisht pelerinën e bartnin të pasurit e leshnikun të varfërit e njerëzit që duhej të punonin jashtë e gjithë kohën, e në çdo stinë. Ashtu leshniku shkonte me pozitën e njerëzve punëtorë e shërbtorë, kurse pelerina bartej nga zotërijtë, -që nuk punonin gjë por që qeverisnin pasuritë që kishin, e për të cilët punonin shërbtorët…
-III-
Ishte kështu një shërbtor i përulur te një zotëri i pasurive të mëdha. Ai zotëriu mandej këtë shërbtorin që e kishte edhe mbrojtës besnik në mall po edhe në jetë të tij. Në përgjithësi shërbtori ky për të cilin po kallzojmë një mësim ishte shumë i dobishëm për zotërinë e tij, sa edhe pasuria, po edhe jeta e tij ishin falë shërbtorit të tij besnik e të përulur.
Po ky shërbëtori kishte njëzet vjet që nuk kishte qenë në shtëpi të tij kurrë tek familja sepse zotëria nuk e lejoi kurrë të largohej nga prona. Ata të familjes, gruaja, vëllau dhe dy fëmijë, një djalë e një vajzë, vinin dy herë në vit tek shërbëtori njeriu i tyre në vizitë, që e mbanin dikund larg pallatit të zotërisë, në një luginë nëmes bjeshkëve. Ashtu shërbëtori shmallej me njerëz të vet dy herë në vjet dhe aq ishte e drejta e tij nga zotëria për jetë me njerëzit e tij.
Një ditë po, kaloi andejpari në udhëtim një njeri i huaj, i veshur fort bukur e në kalë me jele shkëlqyese të artë. Ai pau shërbëtorin dhe kur arriti tek ai u ndal, zbriti nga kali dhe u afrua tek shërbëtori, mandej u ul pran tij dhe ndenji një kohë me të. Mandej u ngrit dhe nga shtroja mbi samar të kalit hoq një shtrojë, që ishte shumë e hijshme, e që zotëria e mbante me vete sa herë shkonte dikund me ftesë. Zotëria ia hodh krahëve shërbëtorit atë lloj pelerine dhe mandej si u përshëndet ngrohtë me shërbëtorin i hipi kalit e shkoi humbi udhës së rrahur nga rrotët e qerreve qafës së bjeshkës nga lindja.
Shërbëtori mandej atë ditë kur nisi të errej, ktheu bagëtinë në ahuret që zotëria i kishte ndamas nga pallati, larg sa nuk ndihej era e plehut. Zotëria mandej si rëndom dual e shkoi tek shërbëtori, që të shihte se a i kishte bagëtinë të gjitha dhe a i kishte në rregull. Ashtu ai zotëria shkoi tek shërbëtori dhe kur i dual para ai shërbëtori i tij, zotëria u pre keq nga ajo pelerinë që shërbëtori e kishte trupit.
-Ku e more këtë mbulojë or ti? -i tha ftoft e me zë të shterrtë shërbëtorit.
Shërbëtori i tregoi zotërisë së tij gjithë ngjarjen me të huajin që kishte rasatisë në kalë udhës e që ishte ndalë tek ai e kishte ndejtë një kohë në bisedë me të dhe se në fund kur ishte ndarë prej tij kishte marrë nga shtroja e samarit të kalit të tij këtë pelerinën e ia kishte dhënë këtij shërbëtorit. Pelerina por nuk shkonte me shërbëtorin, sepse ky shërbëtori ishte pronë e zotëriut dhe se ai zotëria nuk kishte hedhë mbi shpinë të shërbëtorit as për njëzet vjet shërbim një mblojë çfarëdo qoftë.
Ky shërbëtori kishte një leshnik me lesh dhie që ia kishte bërë e ëma nga leshi i dhisë, që ishte shumë i ngrohtë dhe që ia mbulonte gjithë trupin e këmbët deri nën gjunjë! Leshi i dhisë e ndalë ftoftin edhe më të madhin dhe ai leshniku ishte shpëtues në një mënyrë i shërbëtorëve, sidomos atyre që punonin në teren dimrit jashtë ndërtesave të zotërinjve. Mirëpo pelerina në krahë e shpinë të shërbëtorit nuk shkonte sepse ai ishte shërbëtor për zotërinë.
Zotëria ashtu përnjëherë e ndjeu se ishte cenuar, me cen ashtu, e se pasi shërbëtori kishte pranuar të merrte nga i huaji atë pelerinë, zotëria nuk mundi ta duronte më shërbëtorin në pronë të tij. Ai atë mbrëmie nuk foli gjë me shërbëtorin porse në mëngjes i preu udhën kur shërbëtori ishte nisur të hapte ahuret e të lëshonte si gjithmonë bagëtinë në kullosë.
-Leri bagëtinë ti djalo! -i tha zotëria shërbëtorit. -Ti e kreve shërbimin më te unë. Shko e mos u kthe më kurrë!
Ashtu ai zotëria e përzuri shërbëtorin e mirë, veçse kishte hedhë mbi krahë e shpinë një pelerinë që ia kishte dhënë për sherr një i huaj shtekëtar që kishte rastisë udhës së bjeshkëve të mëdha në lindje. Shërbëtori shkoi në shtëpi te të vetët dhe vazhdoi të jetonte jetën e vet si gjithë njerëzia, e të punonte për vete në atë pak pronë që kishte në pasbjeshkë dikund, pran ujërave të gjireve. Kishte pak copë argjend nga puna me pagë tek zotëria sa kishte qenë dhe me ato rriti në shtëpi të vet bagëtinë, ndreqi mandej një shtëpi të re, si dhe bleu pak ara e qeli me rrënjë e bëri ara disa të reja.
Mësimi për njëzet vjet që muar ishte në një ditë të vetme, -kur u sprovua me pelerinën që ia dha i huaji, e cila i ra në sy zotërisë dhe se ajo pelerinë ishte e rëndë aq shumë për zotërinë sa ai zotëriu nuk mund e barti dhe për të e largoi nga prona shërbëtorin e mirë e besnik!
Ky është mësim edhe deri në ditët tona, për të gjithë që shërbejnë në prona të huaja, me çfarëdo marrëveshje, a pa marrëveshje fare, -që të mendon secili që shërben a bën punë në një pronë të huaj për kohë të gjatë, -se duhet të mendon për vete e të gjen zgjidhje për jetë të vet, sepse nuk del kush që i bën zgjidhje a i siguron jetën kush kujtë ashtu si i bën njeriu vetes së vet, përveçse një njeriu të drejtë të Zotit!…
-IV-
Pas shumë e shumë kohe shkon tek ai shërbëtori që ishte, për të cilin kallzohet ngjarja e mësimi, ai udhëtari që i kishte dhënë pelerinën atij shërbtorit atëherë. Ai zotëriu i tregon shërbëtorit të atëhershëm e mandej që ishte një njeri i lirë e i fuqishëm me pronë e pasuri, se atë pelerinë ia kishte dhënë me qëllim atij shërbëtorit, -sepse e kishte ditur se zotëriu i tij kur t’ia sheh pelerinën krahëve nuk do të mund e duronte dhe se: ose do t’ia hiqte pelerinën nga krahët -ose do ta largonte nga prona.
Ashtu, qëllimi i atij udhëtarit të rastësishëm të asaj ngjarjeje në jetën e shërbëtorit atëherë kishte qenë çlirimi i shërbëtorit, lirimi i tij, kthimi i tij në jetë si duhet, -për të punuar për vete, -sepse nuk ka çmim pagese që një shërbëtor e bën të fuqishëm sa të çlirohet vetë me pagat nga puna e mundimshme., qoftë edhe me njëzet vjet e tëhu shërbim.
Pelerina në krahët e shërbëtorit kishte mjaftuar që ai të çlirohej përnjëherë dhe të kthehej në jetë tek njerëzit e tij dhe tek jeta e tij atje ku ishte ndërprerë për shërbim, me shpresë se shërbimi do ta bënte të fortë dhe me pasuri, sa të jetonte mandej një jetë të lirë.