(2L ONLINE) –Kryetari i trupit gjykues nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan, Afrim Shala, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar ka shpallur fajtor të pandehurin Rexhep Ajeti, fshati Strezovc, Komuna e Kamenicës, për shkak të veprës penale ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur, nga neni 379 paragrafi 4 të KPRK.
Ndaj të pandehurit Rexhep Ajeti, është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj, si dhe dënimi plotësues marrja e lejes së vozitjes në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetëve.
I pandehuri Rexhep Ajeti, është shpallur fajtor për këtë vepër penale, ngase i njëjti më datën 15.04.2014, në Kamenicë, duke mos i respektuar dispozitat ligjore dhe duke e drejtuar automjetin në gjendje të dehur me alkool, e kishte goditur me automjetin e tij të ndjerin Jahi Maliqi, oficer i Policisë së Kosovës, i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare, me ç’rast i njëjti për shkak të kësaj goditje përplaset për toke dhe si pasojë e plagëve të marra, i njëjti nuk ka mundur të mbijetojë. /2L ONLINE/