Gjilan – (2LONLINE) – Dhuna mes adoleshentëve është në rritje, sidomos në shkollat tona. E mbi këtë temë gjilanasit marrin përvojën franceze në menaxhimin e dhunës në shkolla dhe sen ë këtë vazhdë ekspertë francezë të tubuar në Shoqatën Lëvizja Kundër Dhunës (MAN), kanë mbajnë trajnime të vazhdueshme me mësimdhënës e nxënës gjilanas.
Anne Peronoux, Jean Marc Muller, Roland Braun dhe Jean-Yves Carlen, po trajnojnë pesëmbëdhjetë pjesëmarrës, nga të cilët njëmbëdhjetë profesorë dhe katër nxënës se si të trajtohen rastet e dhunës në shkolla.
Jean- Yves Carlen, ka bërë të ditur se pjesëmarrësit janë profesorë të lëndëve të ndryshme dhe ato po trajnohen se si të veprojnë në rastet e dhunës në meset shkollore. Për këtë qëllim janë duke u përdorur analiza të konfliktit dhe metodat e zgjidhjes dhe po punohet në fazën e metodologjisë se si të zgjidhen konfliktet.
Ai ka thënë se secili nga pjesëmarrësit jep propozimet për të modifikuar zgjidhjen, qofshin ato në kuadër të institucione apo me metoda pedagogjike. Sipas Carlen, kjo do të ndikojë shumë që dhuna në shkolla të jetë në nivelin sa më të ulët të mundur.
Carlen thekson se si në Francë, ashtu edhe në Kosova ka raste kur prindërit nuk pajtohen me edukimin e fëmijëve të tyre, sikurse që ka raste të konflikteve edhe në mes të vet nxënësve dhe ka përmendur rastin e Mitrovicës, i cili kishte pasur jehonë të madhe mediale në Kosovë dhe se problemet e tilla duhet të zgjidhen para se të vije deri te konflikti dhe plasja e dhunës.
Ky lloj trajnimi po mbahet në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit, kurse Carlenit i vije mirë se ka mësuar se në këtë gjimnaz ka dhunë gjithnjë e më pak nëse krahasohet më të kaluarën. Ai thotë se edhe mësimdhënësit edhe nxënësit janë të interesuar për këtë temë, kurse trajnimet do të vazhdojnë edhe nëpërmjet lojërave dhe situatave dhe do të shihen mënyrat se si do të zgjidhen ato.
Xhemajl Shabani, profesor, njëri nga pjesëmarrësit, ka thënë se është shumë i kënaqur me këtë lloj të trajnimit dhe se shumë gjëra që po i mësojnë këtu do t’i zbatojnë, sepse janë të mirëserdhuara për rininë dhe për nxënësit.
Para pjesëmarrësve, Pernoux, Muller, Burn, kanë thënë se dhuna në shkolla është e shumëllojshme, në raportet nxënësit në mes vete, në raport me mësimdhënësit, te personave jashtë shkollave, sikurse që ndaj nxënësve dhe mësimdhënësve ushtrohet edhe presion psikologjik.
Ata thanë se Shoqata MAN, posedon teknika të ndryshme për mësimdhënësit në mënyrë që ata të arrijnë t’i menaxhojnë konfliktet në mjediset ku ata veprojnë dhe se Kosova nuk bënë përjashtim nga e gjithë ajo që ndodh sot në Francë dhe në Evropë. /2lonline/