Është mbajtur trajnimi me fermerët e Komunës së Gjilanit, përfitues të projektit për mbjelljen e mjedrës dhe boronicës.
Trajnimi është realizuar nga Drejtoria për Bujqësi e Pylltari, në bashkëpunim me Shoqatën Mjedra e Kosovës.
Profesori Kujtim Lepaja, drejtor i Shoqatës Mjedra e Kosovës, ligjëroi sot për mjedrën dhe boronicën para fermerëve përfitues për këto kultura bujqësore, me sipërfaqe prej 7 hektarëve.
Kryetari i Komunëa Alban Hyseni, tha se siç edhe ishte paraparë me projekt, sot janë dorëzuar edhe analizat e tokës së fermrëve përfitues. Mbi bazën e rezultateve, do të bëhet edhe trajtimi dhe plehrosja e fidaneve.
“Hallka e fundit është shitja e produktit. Së shpejti do të aranzhojmë edhe takime të tjera, ku do të mundësohet lidhja e kontratës për shitjen e produktit final për fermerët”, tha i pari i Gjilanit.
Nga ana tjetër Bajram Isufi, drejtor për Bujqësi e Pylltari, tha se pasi që kanë subvencionuar fermerët, tash edhe po i trajnojnë.
Ai tregoi se fermerët e mjedrës e boronicës janë financuar me mbi 119 mijë euro me sipërfaqe prej 50.000 m2 me mjedër dhe 20.000 m2 me boronicë.
Më tej drejtori i Bujqësisë, tregoi se janë 19 fermerë përfitues për mjedër me nga 10, 20 dhe 30 ari, duke përfshirë fidanet, sistemi pikë-pikë për ujitje, pompa e ujit 1.5kW, agrofolia, pompa spërkatëse 16 litër me bateri.
Sipas Bajram Isufit, janë edhe 10 fermerë përfitues për boronicë me nga 10, 20 dhe 30 ari, duke përfshirë, fidanet, vazot, substrati, agrofolia, sistemi pikë-pikë për ujitje, pompa e ujit 1.5kW, pompa spërkatëse 16 litër me bateri. /2LONLINE/