Mali i Zi ia mori dy pikë Kosovës dhe mund të shkaktojë dëme të tjera më 14 tetor në Prishtinë. Ndërkohë, Çekia rivalja e Kosovës për vendin e dytë në grup, ka fituar tashmë gjashtë pikët e mundshme nga përballjet me Malin e Zi.
Ndonëse Kosova ka aktualisht një pikë më pak se Çekia dhe luan në udhëtim me këtë përfaqësuese, “dardanët” kanë gjasa më të mëdha që të kualifikohen në “Euro 2020”.
Kështu ka deklaruar përzgjedhësi i Malit të Zi, boshnjaku Faruk Haxhibegiq. Haxhibegiq në mes të tetorit do të kthehet në Kosovë, në vendin që e vlerëson shumë dhe prej të cilit ka kujtime të mira në karrierën si futbollist.
Ai vlerësohet legjendë e klubit Sarajeva, për të cilin ka luajtur nga viti 1976 deri në vitin 1985. I ka afro 250 ndeshje për këtë klub, ndërsa më pas karrierë ka bërë te Real Betisi në Spanjë dhe te Sochaux e Toulouse në Francë.