Drita e ka regjistruar fitoren e tretë më radhë në pranverë, për të marrë kreun e tabelës përkohësisht. ‘Bardhëekaltërit’ triumfuan me rezultat bindës 4-1 përballë Drenicës, në një ndeshje të cilën e zgjidhën brenda 30 minutave.
Trajneri i Drites, Ardian Nuhiu tregoi per receten e fitores.
“Kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë. Futbollistët kanë dhënë maksimumin në secilin repart dhe mendoj që me plotë meritë e kemi fituar ndeshjen. E kemi ditur që Drenica vjen pas dy humbjeve radhazi dhe do të kërkoj të këndellet. Por, presioni i lartë të cilin e kemi aplikuar, si dhe aksionet e shpejta në repartin ofansiv nuk i kanë dhënë fare kohë atyre për të reaguar”, ka deklaruar Nuhiu.
Më pas Nuhiu deklaroi se skuadra e tij ishte e fokusuar vetëm në përballjen ndaj Drenicës dhe se planifikimi i ndeshjes me Ballkanin fillon qysh nga kjo e premte.
“Përqendrimi ynë ishte te Drenica. Nga tani fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Ballkanit”, përfundoi Nuhiu.
Me fitoren ndaj Drenicës tashmë skuadra e Dritës kryeson Superligën me 40 pikë, aq sa ka edhe Ballkani që të shtunën e zhvillon derbin e javës ndaj Prishtinës.