Drita ka triumfuar përballë Dukagjinit vetëm në kohën shtesë, teksa Izair Emini e konvertoi në gol penaltinë e fituar nga Erjon Vucaj.
Skuadra gjilanase ishte dominuese pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, por fajtori kryesor për mos realizimin e golave ishte ‘gardiani’ i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri.
Madje, edhe kryetrajneri i FC Dritës, Ardian Nuhiu i dha të gjitha kreditet e duhura pas përfundimit të ndeshjes.
“Kjo është bukuria e futbollit. Sa herë mendohet se këto ndeshje janë të lehta, edhe pse nuk e morëm të lehtë, del e kundërta. Krijuam shumë raste, bravo i qoftë portierit të tyre (Muhaxhiri) që e mbajti skuadrën në lojë. Nuk u dorëzuan për asnjë moment”, deklaroi Nuhiu.
Më pas foli edhe për duelin e radhës, të cilin skuadra e tij e zhvillon në vikend ndaj KF Feronikelit.
“Kthehen të gjithë për ndeshjen e radhës ndaj Feronikelit. Kur je i kompletuar është më mirë, sepse mund të bësh kombinime. Për Feronikelin e dimë që është kampioni aktual, tani janë me trajner të ri dhe do të përgatitemi për të bërë një ndeshje të mirë”, përfundoi Nuhiu.