“Teksti artistik është mendim shtjellues i ndërliqshëm. Të gjitha elementet e tij janë elemente kuptimore […] çdo detaj dhe i gjithë teksti në tërësi janë të përfshirë në sisteme të ndryshme raportesh dhe njëkohësisht arrijnë si rezultat më tepër se një kuptim ”.
Jurij. M. Lotman
Nga: Anton Nikë BERISHA
1. Teksti – bazë e çdo vlerësimi dhe interpretimi i veprës letrare poetike
Romani “Tradhtija” i Kapllan Resulit për herën e parë u botua në Tiranë më 1966 dhe ka 259 faqe. Botimi i dytë u bë pas një vitit, më 1967, dhe ka 392 faqe. I treti u bë më 1992 dhe ka 331 faqe. Botimi më i plotë u bë më 2000 (shtëpia botuese “Mësonjëtorja e parë”) dhe ka 472 faqe, me parathënie të autorit Kol Xh. Pera dhe me një fjalorth për fjalët e rralla dhe më pak të njohura. Botimi i pestë u bë më 2010 nga shtëpia botuese “Dija” e Prishtinës, me parathënie të Mithat Lepajës dhe ka 628 faqe. Ky botim u bë sipas botimit të katërt (Tiranë 2000). Katër botimet e para si sasi teksti nuk janë të njëjta; as titulli i romanit nuk është shënuar në të njëjtën mënyrë: botimi i parë, i dyti dhe i katërti, kanë titullin “Tradhëtia”, botimi i tretë “Tradhtia”, ndërsa i pesti “Tradhtija”.
Për këtë roman janë bërë vlerësime të ndryshme, të shumtën e rasteve pa u mbështetur mirëfilli në tekstin e veprës; ato janë mendime dhe vlerësime që kryesisht lidhen me tematikën, me ngjarjet e me personazhe konkrete (sa janë të vërteta dhe sa nuk janë!) me ngjyrime kombëtare dhe politike ose të natyrave të tjera, që nuk lidhen me qenësinë e tekstit poetik, me vlerën dhe me ndikimin e tij estetik.
Në këtë punim për romanin e Kapllan Resulit “Tradhtija ” (botimi i Prishtinës 2010) çdo gjë mbështetet tek teksti letrar për arsye se teksti letrar poetik është (dhe duhet të jetë) baza e çdo vlerësimi dhe interpretimi tëveprës letrare artistike; është përbërësi i gjithëpushtetshëm i çdo krijese të artit të fjalës dhe ai përcakton vlerën e saj . Me qëllim kam lënë anash të gjitha faktet jashtëletrare, që e kanë përcjellë këtë roman nga viti 1966, kur u botua për herën e parë në Tiranë, me redaktimin e Donika Omarit . S’kam marrë parasysh asgjë që është thënë për autorin e romanit (po e përsëris: për autorin e romanit), Kapllan Resulin, as kur jetoi në ish Jugosllavinë, as kohën kur jetoi në Shqipëri (nga viti 1961), ku dhe e botoi romanin, domethënë kur u përfill nga organet dhe politika e Shqipërisë, as kur (më vonë) u burgos (në Shqipëri), a as kohën kur u shpërngul në Zvicër, kur e mohoi dhe emrin e vet e të ngjashme.
Të gjitha këto i kam lënë anash për arsye se janë jashtë tekstit të romanit dhe si të tilla nuk më hyjnë në punë në interpretimin e tekstit; jam përcaktuar dhe jam përqendruar vetëm në tekstin letrar si strukturë gjuhësore shprehëse , si shtjellim gjuhësor, si shumësi kuptimore, si komunikimpoetik dhe si mundësi ndikimi estetik, që në fund të fundit, është qëllimi kryesor i çdo krijese letrare poetike, pa marrë parasysh autorin, llojin që i përket dhe kohën kur lind.
Pikërisht struktura gjuhësore shprehëse, kumtet e shumta që dalin nga teksti, përcaktojnë vlerën, komunikimin, receptimin dhe ndikimin që mund të bëjë në marrësin. Pra, teksti letrar poetik nuk është një krijim (prodhim) i rastit dhe i thjeshtë, po është sa i qenësishëm aq dhe i ndërliqshëm (kompleks). Kjo dëshmohet në mënyrë të qartë në mendimin e Lotmanin të sjellë në krye të punimit ku thuhet se teksti artistik është mendim shtjellues i ndërliqshëm. Të gjitha elementet e tij janë elemente kuptimore […] çdo detaj dhe i gjithë teksti në tërësi janë të përfshirë në sisteme të ndryshme raportesh dhe njëkohësisht arrijnë si rezultat më tepër se një kuptim.
Natyra e tekstit letrar poetik lidhet dhe me të ashtuquajturat vende të zbrazëta dhe aspekte të skematizuara. Duke i analizuar parakushtet për ndikimin e tekstit letrar artistik sidomos papërcaktueshmërinë e tij, në të vërtetë i afrohemi qenësisë artistike dhe rolit të madh që mund të luajë ai sindikim estetik. Këta përbërës kanë një rëndësi të madhe nga fakti se përcaktojnë marrëdhënien midis veprës dhe marrësit: “Sa më shumë që tekstet të pësojnë nga papërcaktueshmëria e tyre, aq më tepër lexuesi inkuadrohet në përfundimin e intencave të mundshme të tyre […] ” dhe “[…] vendet e zbrazëta në tekstin letrar nuk janë mungesë, sikur mund të mendohet, ato janë parakusht themelor për veprimin e tij ”.
Me pak fjalë, përcaktimi im që të mbështetem vetëm në tekstin e romanit “Tradhtija” është i qëllimtë dhe çdo gjë që thuhet në këtë punim lidhet vetëm me të.
2. Romani “Tradhtija” është vepër e Kapllan Kallushit apo e Kapllan Resulit
Në revistën letrare “Jeta e re” të Prishtinës Kapllan Kallushi botoi, duke filluar nga viti 1954 një varg tregimesh si “Tregimi i fundit” (nr. 5 / 1954), “E fejuemja e detarit” (nr. 6 / 1956), “Nji letër e papritun” (nr. 2 / 1958) dhe “Fanola” (novelë e botuar në dy vazhdime; nr. 3 /1958 dhe nr. 4 /1958) e disa të tjera (nuk më është e njohur se ai ka botuar ndonjë tregim në revista të tjera ose në gazetën “Rilindja”). Unë nuk kam të dhëna të pandërmjeme se Kapllan Kallushi është Kapllan Resuli (bashkëkohanikët e tij e thonë se është i njëjti autor), po në bazë të analizës së tekstit të tregimeve e të novelës “Fanola” dhe të romanit “Tradhtija”, variantin që kam lexuar unë (botimin e vitit 2010 të Prishtinës), ai është i njëjti autor. Këtë e përligjin tekstet si struktura gjuhësore shprehëse; mënyra e rrëfimit, e shtjellimit dhe mundësia e komunikimit që nxit e kushtëzon teksti.
Në bazë të krahasimit dhe të analizës së teksteve, të rrëfimit, të gjuhës e të sistemit shprehës kuptimor, përkatësisht të analizës së përbërësve kryesorë të tekstit të tregimeve dhe të novelës “Fanola” të botuar në revistën letrare “Jeta e re” me emrin e Kapllan Kallushit dhe të krahasimit dhe të analizës së tekstit të romanit “Tradhtija”, të botuar në Prishtinë më 2010, i bërë sipas botimit të katërt (Tiranë 2000), mund të thuhet se në qoftë se tregimet dhe novela “Fanola” të botuara me emrin e autorit Kapllan Kallushit në revistën letrare “Jeta e re” janë të Kapllan Resulit (për të cilën gjë unë s’kam dyshim), atëherë edhe romani “Tradhtija”(botimi i Prishtinës) është i Kapllan Resulit. Është vetë teksti i romanit që heq çdo mëdyshje për këtë autorësi dhe zhbën ato dyshime e shpifje që janë bërë e bëhen kinëse ai nuk është i tij. Është punë tjetër që në procesin e redaktimit të tekstit, qoftë të botimit të parë, qoftë të botimit të dytë (botimi i dytë ka 133 më shumë se i pari) të bëra në Tiranë, dora e redaktorit të ketë prekur dhe ndërruar diçka.
3. Stili është vetë njeriu
Nisur nga fakti se, siç theksonte Buffon-i (Bufon), stili është vetë njeriu (“Le style c’est l’homme – même”) dhe se “Të shkruash mirë domethënë të mendosh mirë, të ndjesh mirë dhe të shprehesh mirë; domethënë se për këtë është i nevojshëm shpirti (fryma), ndjenjësimi dhe shija. Stili paraqet veprimin tërësor të të gjitha aftësive shpirtërore; mendimet përbëjnë bazën e stilit, harmonia e fjalëve vetëm u bashkohet dhe varet prej receptimit të shqisës së dëgjimit […]”, atëherë mund të thuhet se stili i njëjtë në dy (ose më shumë vepra letrare) dëshmon faktin se ato i ka shkruar një autor. Së këndejmi, kur i lexon me vëmendje prozat e Kapllan Kallushit të botuara në revistën letrare “Jeta e re” në vitet 1954 – 1958, dhe kur e lexon, po ashtu me vëmendje, tekstin e romanit “Tradhtija”, nuk e ke vështirë të sjellësh përfundimin se ato i ka shkruar (nëse nisemi nga fakti se tregimet e botuara në revistën “Jeta e re” i ka shkruar Kapllan Resuli) i njëjti autor. Në të vërtetë, pas krahasimit të prozave të tij të botuara në revistën letrare “Jeta e re” dhe të romanit “Tradhtija”, edhe sikur romani të mbante në kopërtinë emrin e një autori tjetër, nuk do të ishte vështirë të sillje përfundimin se ai ështëi njëjti autor që ka shkruar tregimet dhe novelën “Fanola”.
Mënyra e perceptimit, e qasjes, gjuha, fjalët (edhe fjalët e huaja, që në roman janë më të shumta), sistemi i të shprehurit, përshkrimet, frazeologjitë, mënyra e përdorimit të retardimeve, të figurave, sidomos krahasimet, shqiptimi i tundimeve shpirtërore të personazheve, në mënyrë të veçantë shqiptimi i epshit të dashurisë dhe përjetimi i kësaj ndjenje tek disa personazhe, qoftë të gruas, qoftë të burrit, siç ndodhin në romanin “Tradhtija” dhe në novelën “Fanola” e përligjin stilin e njëjtë, natyrisht me ato ndryshime që mund të jenë rrjedhojë e ndërmjetëses kohore kur janë shkruar, pastaj të zhvillimit dhe të përvojës së autorit, apo që kushtëzohen nga dukuritë që një autor i bën objekt trajtimi poetik.
Pikërisht nga strategjia e rrëfimit, nga imazhet dhe nga përshkrimet e përftuara përmes gjuhës që përdoren në tregimet dhe në novelën “Fanola” nga Kapllan Kallushi dhe nga imazhet dhe përshkrimet e përftuara në romanin “Tradhtija” nga Kapllan Resuli vërehen përkimet, afërsia dhe njëjtësia midis tyre dhe dëshmojnë se ato janë vepra të të njëjtit autor.
4. Shembuj konkretizues të ngjasimeve dhe të përkimeve
Për t’i konkretizuar afritë, përkimet dhe ngjasimet e teksteve të prozave të botuara në revistën “Jeta e re” dhe të tekstit të romanit “Tradhtija” si dëshmi se ato i ka krijuar i njëjti autor, do të duhej shumë vend për arsye se ato janë të shumta, që është krejt e natyrshme.
Po sjell disa nga më kryesoret, që lidhen para së gjithash me rrëfimin dhe me të shprehurit, me stilin.
Duhet thënë se në prozat e botuara në revistën letrare “Jeta e re” me emrin e Kapllan Kallushit dhe në romanin “Tradhtija” me emrin e Kapllan Resulit dukuritë shqiptohen dhe përshkruhen në mënyrë të zakonshme, pra zbatohet një rrëfim i rëndomtë. Autori nuk gjakon të sjellë asgjë të re e të mëvetësishme as në mënyrën e shqiptimit, as të konceptimit e shtjellimit, as në sistemin shprehës. Në pjesën më të madhe në ato proza përshkruhet ngjarja ose veprimi. Pra, rrëfimi nuk ka “lëvizje” të mëdha: është kryesisht i njëtrajtshëm, me ndonjë përjashtim kur ai shqipton ngjarje dramatike dhe tronditëse të jetës, sidomos dashurinë, siç ngjet në novelën “Fanola” dhe në romanin “Tradhtija”.
Gjuha, si mjet i vetëm i të shprehurit dhe i ndërtimit të botës poetike në veprën letrare, në tekstin letrar, është e njëjta në prozat e botuara te revista “Jeta e re” dhe në romanin “Tradhtija”. Kështu, në të parat përdoret një gjuhë më e pastër, përdoren më pak fjalë që nuk i shkojnë natyrës së prozës ose fjalë të huaja, se sa në roman.
Në prozat e botuara te revista “Jeta e re” dhe në romanin “Tradhtija” është i ngjashëm renditja e fjalëve, shtjellimi i fjalisë, ritmi, përshkrimi i ngjarjeve, sidomos i veprimeve që lidhen me fuqinë dhe magjinë e epshit, përshkrimi i dukurive të natyrës, në mënyrë të veçantë nata me hënë, terri, misteri i errësirës (shih, fjala vjen, “Fanola” f. 430; te romani “Tradhtija” janë me dhjetëra përshkrime të tilla), pastaj fjalët (fjala vjen, gicilojshin, syt, jatak, personale, relacion, admirim, ekspozim, në korent të ngjarjeve, kamuflue, i fortë si luani, si luanesha), numërimi i gjërave, po dhe shpjegimet, pastaj krahasimet, epitetet, frazeologjitë apo shprehjet frazeologjike të ndryshme. Autori shpesh e fillon fjalinë me Por dhe me Prandaj, që nuk i shkon natyrës së shtjellimit sintaksor shqip.
Renditja njëra pas tjetrës e fjalëve dhe e shprehjeve të njëjta ose të ngjashme, bën një nga dukuritë më të shpeshta që Kapllan Kallushi – Kapllan Resuli e përdor nëprozën e vet. Këtë përbërës ai e përdor në mënyra të ndryshme në të gjitha prozat e botuara në revistën “Jeta e re” dhe në romanin “Tradhtija”.
Kjo përligjet qënë fillim të tregimit “Tregimi fundit” (“Jeta e re” 1954 nr. 5), një krijim pa ndonjë vlerë të veçantë:
“[…] që deri atëherë e ruante, e mbulonte, e mbante për vete…”; “Si e dini, unë kam pa shumë, kam ndî, por edhe vetë kam perjetue shum”; “Shokët luejshin, përlaheshin, bërtitshin dhe idhnoheshin kundra kalimtarëve…”.
Në tregimin “E fejuemja e detarit” zbatohet i njëjti parim i përftimit të tekstit:
“Grueja e shkretë ishte aq e lodhur, aq e mjerë, aq e çqetesueme, e pikllueme, sa…”; “[…] ajo fuqí që e rrëmbente dhe e bante të ndiente në këto çaste nji pakënaqsí shpirtnore, nji frigë, nji pabesim, nji dyshim.”; “Nuk kuptonte as sesi, as çka qe, çka ngjau, si ngjau, pse ngjau, ç’pati, pse iku, ku iku, e as a do të kthehej”; “Zemra i qante. I pikonte vnerë. E andrronte gati çdo natë. Të veshun mir’ e bukur. Të qeshun. Të qeshun. Të gëzuem. Por pikërisht kjo gja e brengonte, e mundonte, e lëndonte”.
Kështu ngjet dhe në tregimin “Nji letër e papritun”: “Çka i bâjshe? A e pickojshe, shtërngojshe, lëmojshe apo çka – s’dij”; “Ecsha si pa krye. Ecsha… Kah? S’dijsha. S’kqyrsha. S’shifsha. S’mendojsha…”.
Në novelën “Fanola” janë me dhjetëra e dhjetëra raste të ndërtimit të tillë të tekstit. Po sjell vetëm pak shembuj: “Nga nji herë âsht si me thanë cub, hajdut, vrasës”; “[…] ajo e falënderoi për këte me nji buzëqeshje të zakonshme, e cila ishte e këndshme, tërheqse dhe e ambël pakufi”; “U çue menjiherë dhe u dha urdhën shërbtoreve që ta vishnin, rregullojshin dhe përgatishin”; “Po, – mendonte – âsht i fuqishëm dhe i fortë, i ri, bujar, i lëmuet dhe i sjellshëm si bujar, mandej edhe i bukur, por disi i përvujtë dhe i kufizuem pikrisht n’ato epshet për të cilat unë jam e etshme dhe pasionuese sa s’bâhet mâ tepër”.
Ndërtimet dhe shtjellimet e këtilla të tekstit në romanin “Tradhtija” janë me qindra dhe si të tilla bëjnë njërin nga përbërësit e rëndësishëm të mëvetësisë së stilit të Kapllan Resulit si prozator. Po sjell vetëm disa shembuj që, besoj, do të mjaftojnë të krijohet bindja se autor i tregimeve dhe i novelës “Fanola”dhe i romanit “Tradhtija” është i njëjti.
“Mblidh mendjen dhe hiq dorë nga diskriminimet fetare e kombëtare […] Bile edhe nga mendimet dhe idetë fetare e kombëtare, se janë gjana të kota, të damshme, reaksionare, të padenja për nji njeri të kohës sonë, për nji njeri përparimtar, revolucionar!” (f. 142).
“Diçka mendonte, bluente me vete. Shihej qartë se shpirti i digjej, shihej qartë se për diçka vuente” (f. 219); “[…] aq i rreptë bahej (Arben Preshava), kur i cënoheshin parimet, aq i pamëshirshëm tregohej, në mënyrë të veçantë me komunistat, prej të cilëve kërkonte të ishin korrektë e prudentë, të kujdesshëm e të përpiktë, besnikë të parimeve dhe fanatikë në besimin e tyne…” (256); “Veprimet e Miograd Palloviqit, fjala vjen, ai i konsideronte për dhunë reaksionare, se ato i shërbejshin jo lindjes së lirisë, të resë, të mirës, mirkuptimit ndërnacional, por kthimit të së vjetrës, të keqes, shtypjes ndërnacionale” (f. 328); “Mbas kësaj u thanë shumë fjalë, u banë shumë propozime, u parashtruen shumë kërkesa. Secili donte që nderi i atentatit mbi Qazon e Sefës, që ishte zhytë në krime e maskarallëqe, që ishte ba vegël qorre e akupatorit dhe kishte marrë pjesë […] i takonte kompanisë së tij. Secili parashtroi arsyet …” (f. 330); “Qaza i Sefës â ma i zi se fashisti italijan, ma i zi se nazisti gjerman, ma i zi se fashisti bullgar, ma zi se çdo shka. Ai â shka e përtej shkaut” (f. 339); “Ishte hera e parë në jetën e saj që nji mashkull, Arbeni, e kishte përqafue n’atë mënyrë. Ishte hera e parë që e kishte ndie aq pranë trupin e tij, zemrën e tij, ngrohtësinë e tij. Ishte hera e parë që e kishte ndie veten aq të lumtun…” (f. 367); “Mos harro, Pjetër, se jam grueja jote! Mos harro, Pjetër, se nuk më ke gjetë në rrugë! Mos harro, Pjetër, se të kam ardhë virgjine…” (f. 379); “Jam shtirë sikur nuk shoh, sikur nuk kuptoj, sikur nuk ndjej asgja për te. Bana çmos që edhe të pajtohen…” (f. 452); “E si të harrohet buka dhe krypa e saj? Mikpritja dhe bujaria e saj?! Si të harrohen ato male, ato fusha e ato lumenj, ata njerëz aq të dashtun, aq të dhanun, aq shpirtmirë dhe aq besnikë.
Si të harrohet ai truell i vaditun nëpër shekuj me gjak, me gjakun e bijve ma të mirë, që e derdhën e po vazhdojshin me e derdhë për liri? Si harrohet ai vend i mbjellun ma shum me rrashta e kocka njerezish…” (f. 459); “Atë e kishte pushtue një gjum i randë, i thellë, i lodhshëm. Ai asgja nuk ndëgjonte, asgja nuk dinte, asgja nuk kuptonte” (f. 583); “Syt i bajshin sikur i kishte ushtarët bullgarë përpara, sikur po i afroheshin, sikur do t’ia kapshin mitrolozin për tyte, sikur do t’ia rrëmbejshin vllaun” (f. 584).
Edhe një varg përshkrimesh të prozave të Kapllan Kallushit të botuara në revistën “Jeta e re” dhe në romanin “Tradhtija” të Kapllan Resulit përligjin se ato i ka krijuar i njëjti autor. Nuk po sjell ndonjë shembull se do të zgjatet së tepërmi punimi. Të shihet, fjala vjen, përshkrimi “Naili i kishte kalue të njizetat…” në tregimin “E fejuemja” f. 492 ose në novelën “Fanola” f. 413, f. 414, f. 428 dhe përshkimet e shumta në romanin “Tradhtija” dhe përfundimi do të jetë i njëjtë: janë të të njëjtit autor.
Mëdyshjet e thella, një gjendje shpirtërore e veçantë midis përfytyrimit e konkretësisë jetësore, midis reales dhe zhgjëndrrës, vegimit të lidhur me epshin dhe me dashurinë, midis gjakimit dhe marrëdhënieve seksuale, në disa raste janë të ngjashme dhe bindesh se janë të hartuara një i njëjti autor, siç ndodh në novelën “Fanola” në marrëdheniet e princeshës greke, Fanola me Latif-begun dhe Stomiosin, kapitenin e anijes (faqet 416 – 417; 432; 448), Mehmet – begutme Lezen, që lidhet ngushtë me atë që ndodh në romanin “Tradhtija mes Besës, gruas së Pjetër Munellës, dhe Arben Preshevës (faqe 83 – 85 dhe 454 – 456). Ky përkim dhe përngjasim jo vetëm që përligj afrinë dhe dëshmon për autorin e njëjtë që i ka krijuar, po dhe janë ndër pjesët më artistike të novelës dhe të romanit. Në të dy rastet autori, përmes strukturës gjuhësore, përfton një realitet poetik dhe imagjinativ, krijimin e një teksti kuptimisht të pasur dhe shprehimisht të ngritur e artistik.
Nga novela “Fanola”:
“Mendej u çue përsëri dhe ia afrue pasqyrës. E hodhi salltanaken, zgjati qafën dhe çeli syt, të cilët edhe kështu ishin mjaft të hapun prej antropabeladone. I zbuloi butsisht krahët, ledhatoi gjijt e ngrohtë dhe kaloi dorën teposhtë belit si peshk, e mbi kofshat e forta plot fuqi të parrëmbueshme dhe jetë, lëshoi duert në kofsha e i shtrëngoi si donte me shtrydhë prej tyne dreqin që e bânte gjithnji mâ të çmendun prej mosdurimit, mâ të shqetësueme, mâ të llahtarshme. Tue shique kështu vedin lakuriq dhe të zhveshun në pasqyrë, gjaku iu turbullue, syt iu muerën, u ra nifarë perde e ambël dhe tue mos mundë mâ me qëndrue e me pritë, ra në shtrat si e dejun dhe filloi me u dredhë e përdredhë tue kafshue vetëvedin me dhambë dhe tue shtypë cicat e veta. Tanë dridhej e djersitej dhe mundohej si me pasë qenë dikush tue ia nxjerrë shpirtin. E skuqun dhe e nxehun, syt iu ngrinë befas plot epsh e lakmi, kur dikush trokiti në derë…”(f. 416 – 417)
ose kur Mehmet – beu, ndërsa është në dhomën e Fanolës, e mendon Lezen e tij: “Prej shkëlqimit të syve të saj ai e dinte se çka mendonte ajo dhe ishte i gatshëm me i thanë dhe mos me e mashtrue mâ:
‘Mbasi po don, po të kallxoj. Po, po të kallxoj, – mendonte. – Po të jesh e gatshme edhe për ate që âsht më e keqe […] U nisa prej Ulqinit, në përqafimin tand edhe pa e dijtë këte. Nuk e kam dijtë se çka po bâj dhe se e due fort. Vetëm kur humbi prej horizontit qyteti im i bukur m’u kujtue se atje ka mbetë nji krijesë që me don dhe që nuk din, Lezja ime e dashtun nuk e din se unë e kam tradhtue aq paturpsisht’…” (f. 432, shih dhe faqe 448).
Nga romani “Tradhtija”:
“Po kësaj radhe s’e zuni gjumi as Besën.U përpëlit ne shtrat një kohë të gjatë, tue mendue për atë që ndodhi atje në banjon e dy vajzave […] Mandej tha më veti: ‘Kur e përqafova të shkretin djalë dhe e putha n’atë kasollen e deleve, tashti dhe ia tregova edhe të gjitha sekretet e trupit. As dorën s’e lëviza që të mbulojsha së paku sisat!… Nuk e di ç’kam dhe ç’më tërhjek drejt tij?! Si nuk më bani dora?! Si nuk më tradhtoi zemra dhe zani?! Një fjalë nuk mujta më ia thanë… Po sikur të mos ishte kthye mbrapa?! Po sikur të më ishte hedhë sipri, sikur të më kishte përmbledhë e përqqafue?! … Dora prap me siguri nuk do të më bante as me shtye sado pak! Zemra e zani nuk do të më bindeshin as me i thonë MOS! Asht i ri dhe i hijshëm, shum-shumë i hijshëm dhe i fuqishëm, tëheqës… Një forcë e mistershme po me shtyn drejt tij […] Ç’asht kjo që po ndodh me mue?! Ç’asht kjo që po ndodh mes nesh?! […] E josha të shkretin djalë jo vetëm me lakuriqsinë time, por edhe me qëndrimin tim, me sjelljen time, me syt e mi, që ia ngula n’atë mënyrë… Vërtet, ç’qe ajo ajo që e shikova ashtu?! A s’ishte lutës ai vështrim?! A s’ia luta me sy që të më mëshironte, të më përqafonte, të më puthte së paku një herë një herë … nji herë të vetme…” (faqe 83 – 85) dhe
“Shpresa e hapi derën, por jo edhe dritën. Në errsinën e dhomës, që ndriçohej fare pak nga drita e hanës, ajo e ndihmoi vllaun që të zhvishej. Mandej e futi në shtrat dhe doli, pa i thanë asnji fjalë.
Sapo u mbyll dera, Arbeni ndëgjoi edhe nji rrotullim çelsi. Përmes turbullinës që i kishte shkaktue pija, e cila, tashti që u shtri, po i shtohej, ai ndjeu si nëpër mjegull nji krah lakuriq, që iu mbështoll rreth qafe ngadalë, but-but. Mendoi se ishte krahu i Shpresës. Ndjeu edhe nji të puthun në tamtha, të qetë, si të frikshme, dhe prap mendoi se po e puthte, si zakonisht, motra. Në dritën e hanës ai e pa fytyrën e saj, që për nji çast iu duk pikrisht si fytyra e Besës, po prap mendoi se po i kontaminoheshin fytyrat e dy krijesave ma të dashtuna për te. Çastin tjetër ai ia pa Besës syt e sajë të bukur, të ndritshëm e të qeshun, ia pa fare-fare qartë, si në mes ditës. Për ma tepër ia pa edhe gjinjtë e lakuriquem, që përmes dritares ia ndriçoi hana, e që i qëndrojshin thep përpjetë, pikrisht si atë ditë që ia pa për herë të parë në banjo. Shijoi në buzë edhe puthjen e saj aq të ambël, përqafimin e saj aq të ngrontë, duert e saja që po e trazojshin poshtë, në të mbathuna. Syt iu turbulluen fare, mendja aq ma tepër, as të kishte pi me fund jo gotën, por shishen e shlivovicës. Krahët e tijë të fuqishëm, papritmas, e përmblodhën Besën e vërtetë apo imazhin e saj…ai këtë gja ma s’e dinte. Ndjente vetëm nji nevojë e dëshirë të madhe, të papërballueshme, që ta puthte, që ta përqafonte, t’ia fuste edhe ai duert andej, poshtë, kudo, e ta përgëdhelte, ta përgëdhelte e ta puthte, ta shijonte. Ndjeu nëpër damarë nji vërshim epshi, nji influks të fuqishëm potence, vlimin e gjakut e të pasionit […] Besa, apo imazhi i saj, fare-fare lakuriq, ashtu siç e kishte lindë e ama, e tërhoqi ngadalë mbi vete, mbi gjoksin e saj të frymë, të ngrohtë, të ambël, tue ndie nji kënaqsi të veçantë nga pesha e trupit të tij. Dhe e përqafoi, e puthi me afsh, siç nuk kishte puthë kurr askend në jetën e saj. Ai nuk u besoi syve të vet, as përqafimit e puthjeve të saja. Nuk u besoi as puthjeve të veta, që ia kthente me të njajtën masë e me të njajtin afsh, as buzve, që thithshin thimthat e sisave të saja etshëm, as dhambëve, që kafshojshin ato sisat unshëm, as veshëve, që ia sillshin zanin engjëllor të Besës, të pëshpëritunat e saja epshndjellse:
‘Ma fort! Ma, ma, ma fort i dashtun!’.
Nuk u besonte as duerve të veta, që e përgëdhelshin trupin lakuriq të saj, që ia ndrydhshin sisat e format e ardhuna të trupit, që ia hapën, ma në fund, edhe shalët dhe, pa i thanë ai asgja, vetë ajo i ngriti kambët, si dy shtylla që i ndriçonte drita e zbehtë e hanës. Ai nuk i besoi as vetes, që e mblodhi Besën kutulaç nën vete dhe depërtoi në te, që humbi dhe u shkri me te, u ba njish me te, sikur kurr as të mos kishte ekzistue si qenie më vete. Iu duk se ishte në gjum, se po e shihte në andërr, se po e përqafonte dhe puthte në andërr, se po kënaqej në andërr…” (454 – 456).
Edhe ngjasimet midis personazhit të princeshës greke, Fanolës plot gjallëri e epsh (i ndërron burrat sipas rasteve e rrethanave), dhe Bilanës, infermieres maqedone, në roman “Tradhtija” (e cila po ashtu i ndërron burrat sipas rasteve e rrethanave) janë të dukshme e të shumta, qoftë për strategjinë e rrëfimit, për mënyrën e shqiptimit të gjendjes së veçantë e dramatike, qoftë për ndikimin që bën te lexuesi.
5. “Tradhtija” – roman i rëndomtë, në pjesën më të madhe kronikë – përshkrim i ngjarjeve
Meqenëse në pjesën e mëparshme u dëshmua, përmes krahasimit dhe shembujve, se teksti i prozave të Kapllan Kallushit të botuara në revistën “Jeta e re”, duke filluar nga 1954, dhe teksti i romanit “Tradhtija” të Kapllan Resulit janë shkruar nga i njëjti autor, në vijim po merrem me tekstin e romanit “Tradhtija” si strukturë gjuhësor poetike, si shtjellim, pra si art i fjalës. Nuk po merrem me tematikën e romanit se tematika nuk e bën artin e një vepre letrare, siç e kam thënë edhe në fillim të punimit, as nuk ndikon estetikisht në marrësin; ajo mund të bëjë një ndikim tjetër, po jo estetik. Tema si temë nuk është se nuk e ka rëndësinë e vet, po arti i një vepre është ai që e përcakton qenësinë dhe vlerën e saj si krijesë gjuhësore shprehëse, qoftë brenda një letërsie, qoftë më gjerë. Asnjë tematikë, qoftë edhe ajo më e rëndësishmja (nëse mund të ketë të tillë?), s’ka kushtëzuar dhe s’ka bërë të mundur që një vepër letrare të mbijetojë nëpër kohë dhe të bëjë ndikimin e saj estetik në brezat e ndryshëm. Atë mund ta bëjë vetëm teksti artistik.
Pra, veçantia dhe vlera poetike e një vepre letrare përligjet para së gjithash nga mënyra e shtjellimit të tekstit, nga ajo si thuhet një gjë, një dukuri, e jo çka thuhet. Shkrimtari i madh francez, Floberi nuk thoshte rastësisht “[…] historia e një morri, ashtu si edhe historia e Aleksandrit të Madh, kanë të njëjtën vlerë dhe interes për letërsinë”.
Ky mendim i Folberit nuk e zvetënon dhe nuk mohon rëndësinë e argumentit (temës), përkatësisht zgjedhjen e tij nga autori, por jep të kuptojë se qenësia e veprës letrare poetike nuk qëndron aty, po në stilin, në sistemin gjuhësor shprehës; nga kumtet poetike që dalin prej strukturës së tekstit përkatës; teksti poetik dhe cilësia e tij zënë vendin e parë, të gjitha dukuritë dhe përbërësit e tjerë të veprës letrare, të tekstit letrar, janë të dorës së dytë.
Nga leximi dhe nga analiza e vëmendshme që i bëhet romanit “Tradhtija” si strukturë gjuhësore shprehëse dhe poetike përfundimin e parë që nxjerr është se ai (romani) është një krijesë letrare e rëndomtë, në pjesën më të madhe përshkrim i ngjarjeve, i veprimeve, i konflikteve midis njerëzve dhe grupeve, që më shumë afrohet me kronikën sesa nga një vepër poetike të mirëfilltë. Kjo vërehet dhe nga një lexim i rëndomtë i tekstit.
Me një fjalë, vetë teksti e kushtëzon këtë vlerësim: në pjesën më të madhe ai është përftuar në mënyrë të thjeshtë dhe të njëtrajtshme që sjell kryesisht një informacion, pra nuk jep mundësinë e dykuptimësisë e të shumëkuptimësisë. Qëllimi kryesor i autorit është të kumtojë, të thotë diçka pa lënë mundësinë që lexuesi të vihet në “shtjellën” e mendimeve, siç ngjet me tekstin poetik. Pra, teksti i romanit “Tradhtija” i Kapllan Resulit në pjesën me të madhe të tij është një kronikë ngjarjesh dhe si i tillë është i zhveshur nga arti i mirëfilltë. Për këtë do të bindet secili njohës i letërsisë, i natyrës dhe i qenësisë së saj si art kur ta lexojë.
Autorit ka synuar, ka parapëlqyer para së gjithash rrëfimin e ngjarjeve, përkatësisht përshkrimin e tyre; të jetë sa më afër të vërtetës historike e dihet se vepra letrare si krijesë poetike, pra dhe romani si një ndër llojet më të shquara, gjakon dhe duhet ta shprehë të vërtetën artistike. Vetëm e vërteta artistike që përligjet në një vepër letrare, vetëm teksti poetik i saj që jep mundësinë e komunikimit shumësor, ku secili lexues e lexon dhe ndikon nga ai në mënyra të ndryshme, madje edhe i njëjti lexues kur e lexon me ndërmjetësime kohore, e bën një vepër letrare të qenësishme dhe me vlerë;vetëm si e tillëajo mbijeton nëpër rrjedhë të kohëve. Ky mbijetim lidhet para së gjithash me artin e saj e jo me diçka tjetër.
Romani “Tradhtija” është i stërmbushur me fjalime, me pohime, me shpjegime e me shprehje retorike, që dhe veprën më poetike e rrënojnë, e jo këtë roman që anon më shumë nga përshkrimi i ngjarjeve konkrete, kronikës. Për t’u bindur për këtë nuk duhet të kërkosh shumë: i gjen të thuash në secilën faqe. Pra, ai nuk është nisur nga parimi që me sa më pak fjalë të thotë sa më shumë, nga teksti të dalin sa mëshumë kuptime. Kapllan Resuli vepron ndryshe: krijon më shumë tekst, po thotë më pak. Që t’u mbesë besnik ngjarjeve dhe personazheve (personave) konkretë që ndërlidhen me ngjarjet që vështrohen në roman, autori është përqendruar në përshkrimin e tyre, ka sjellë raporte dhe fjalime, që nuk i kanë dhënë mundësinë të përftojë një tekst shumëkuptimor. Raporti i gjatë, të cilin autori e sjell në faqet 56 – 68, do të arsyetohej në një mënyrë ose në një tjetër të ishte i vetëm, po janë një varg të tjerë (më të shkurtë), raporte të udhëheqësve ose të ushtarëve që janë të së njëjtës natyrë – sjellin vetëm një mundësi kumti, pastaj raportet dhe fjalimet e vetë udhëheqësit kryesor, Arben Preshevës.
Edhe komentimet dhe shpjegimet e ndryshme (për veprime e të papritura ose përpjekja për të zbuluar të vërtetën etj.) që bëhen në shumë pjesë të romanit, përligjin natyrën dhe konotimin njëkuptimor të tekstit, dhe natyrisht të mundësisë së kufizuar të komunikimit dhe ndikimit estetik të tij në lexuesin.
Natyrën dhe vlerën e tekstit të romanit “Tradhtija” të Kapllan Resulit e përcaktojnë në një masë të ndieshme përsëritjet e shumta që s’kanë ndonjë funksion të caktuar stilistik, pastaj numërimet që autori i zbaton në pjesën dërmuese të tekstit të romanit, nga të cilat kam sjellë mjaft shembuj për të dëshmuar autorësinë e njëjtë të prozave të botuara në revistën letrare “Jeta e re” dhe të romanit “Tradhtija”.
Përsëritjet – numërimet e fjalëve e të shprehjeve të tillanë qenësi bëhen pengesë për një komunikim dhe ndikim të mirëfilltë estetik; ato më shumë marrin cilësinë e shpjegimit: lexuesi “merret për dore” dhe i shpjegohet kuptimi i një fjale ose shprehje, sikur qëllimi i tekstit të romanit është t’i shpjegojë e sqarojë gjërat, qoftë edhe kuptimet e fjalëve.
Si dëshmi për këtë po sjell vetëm një shembull nga romani për të parë se ato jo vetëm që nuk i ndihmon asgjë tekstit e mesazhit që del nga ai, po si retorikë, e rrënojnë qenësinë poetike të tij:
“Mbas kësaj para Arben Preshëvës u paraqit pyetja tjetër: kush ishte ai që e kishte vra Selim Pçinjën, Lekë Bytyçin, Muhamet Lubishtën, Ramazan Selimovskin dhe Asllan Bilaçën? Dora e kujt ishte ajo që po organizonte mbas shpine nëpër kompanitë e batalionit? Dora e kujt ishte ajo që ishte ngritë pikërisht kundër kuadrove?” (f. 472 – 473).
Është e vërtetë se në romanin “Tradhtija” Kapllan Resuli i kushton kujdes leksikut; gjakon të përdorë një leksik sa më të pasur, fjalë të rralla, shpesh të huaja e sidomos fjalë turke, po leksiku asnjëherë nuk e ka bërë të qenësishme një vepër poetike. Janë marrëdhëniet e fjalëve, ballafaqimi dhe përplasja e mendimeve, kundërvënia që ngjet brenda frazës e fjalisë, brenda shtjellimit gjuhësor shprehës. Gjuha, përkatësisht leksiku që përdor Kapllan Resuli në romanin “Tradhtija” i përgjigjet më shumë një kronike se sa tekstit të mirëfilltë poetik, që duhet ta cilësojë fund e krye një roman. Autori përdor një stil pohues, retorik herë – herë të skajshëm.
Ka edhe pjesë ku kuptimi mbetet pezull, shpesh i mëngët apo futen pjesë të panevojshme. Pikërisht kjo dukuri e përforcon mendimin për rrafshin e ulët poetik të romanit “Tradhtija”, për vlerat e kufizuara poetike. Tekstet që po i sjell në vijim e përligjin këtë. Nënvizimet janë të mia; aty sidomos ngjet mungesa, shkëputja:
“Ai e kishte të qartë se Arbeni vetëm donte me u dhanë partizanëve shembullin personal, tue u udhëheqë nga parimi se nje shembull personal vlen ma shum se mija fjalë të bukura nxitëse. Po koha e shembullit personal tashma kishte kalue” (f. 35); “Shumë ujë ka rrjedhë lumenjve të Karadakut. Shumë gjak asht derdhë anë e kand krahinës. Shumë ngjarje kanë ndodhë. Shumë njerëz janë plagosë e vra dhe ma shum të tjerë kanë zanë vendin e tyne në çetë” (f. 99); “[…] kishte thënë diku Marksi: Dhuna asht nana që shpejton lindjen e së resë. Tash a e kishte thanë pikrisht ashtu Marksi, apo jo, ai në këtë gja nuk thellohej, s’e vriste trunin dhe as që mendonte fare. Demiri, me atë rradaken e tij sa nji shinik, kështu e kishte kapë, kshtu i ishte tiposë dhe kështu e mbante mend. Fundi i fundit, kështu i pëlqente dhe kishte thanë ai gjermani i urtë, se – simbas arsyetimeve të atyne katër apo pesë okë truve, që kishte n’atë shinikun e tij – kështu dhe duhet të ishte” (f. 327); “[…] ishte rrëzik që të hidhej me gjithë mend, bile pa ngurrue” (f. 365); “[…] i kishte ndryshue çehrja e fytyrës krejtësisht. Ishte plakë mdenjiherë. Thinjat po ia zbardhshin flokët” (f. 421); “ I dëshiruem për përqafimin e saj, për puthjet e saja, për trupin e saj, që si njalë lëvizte e përdridhej, tundej e gulshonte, ai nuk pati ma forca me i kundërshtue joshjeve të saja aq ekstreme, aq marramendëse, aq të çmendura, puthjeve të saja aq të ambla, përqafimit të saj aq të ngrohtë, dehës ma shum se edhe vetë shlivovica, që kish pi pak ma parë pa karar. Ai jo vetëm që iu dorëzue i tani, plotsisht, me mish e me shpirt, por edhe u dha mbas saj me pasionin e ndrydhun gjatë gjithë jetës së tij, e përmblodhi fuqimisht, tue dihatë e gulshue, tue e puthë e kafshue: Dukej se do ta shkyente, se do ta coptonte, se do ta ndante në dysh e do ta hante” (f. 456); “Shum fëmijë mberën pa babë e shum prind pa bijë e bija” (f. 547); “Mbramë kam qenë i zanun me luftime të njimbasnjishme, pa ndërpremje” (f. 594).
Nga një lexim i vëmendshëm i këtyre pjesëve nuk është vështirë të vërehen dy dukuri të rëndësishme: 1) të përftuara në këtë mënyrë, pa përkushtimin e duhur ato nuk i shërbejnë një romani që synon edhe një rrafsh poetik krejt të përvuajtur dhe b) vërehet një shpërpjesëtim, edhe kundërthënie mes pjesëve, shprehjeve dhe fjalëve që nuk do të duhej t’i ndodhte edhe një krijuesi në fillim të punës së tij.
Për pakujdesin ose mangësinë e tekstit letrar, bindemi edhe po që se, fjala vjen, e shikojmë faqet 80 – 81, ku brenda 17 rreshtave kjo shprehja “Atëherë u kujtua”, “Mandej u kujtua” dhe “Atëherë Arbenit iu kujtue” përdoret tri herë; ose faqen 100, ku në 17 rreshta të mesit të faqes, pesë herë përsëritet fjala aspekt (kjo shprehje në një tekst poetik shqip edhe një herë do të ishte e tepërt!).
Po sjell në vijim edhe tre shembuj të llojit të tekstit, të cilin e gjejmë në shumë pjesë të romanit, që janë të zhveshur nga çdo cilësi e tekstit poetik dhe si të tillë shërbejnë vetëm si kumt i zakonshëm, informues, me “ton deklerativ”, siç do të thoshte Adriatik Kallulli në parathënien e botimit të dytë të përpunuar (Tiranë 1967, f. 12) krejt të kundërt me atë që gjakon dhe është një tekst poetik i mirëfilltë.
Të parin e shkëputa nga kapitulli XIII:
“E vetëdijshme për këtë gja, Besa, në bisedat e saj me gratë e katundit e të krahinës, synonte me u zgjue ndjenjat e dëshirat e tyne për nji jetë ma të mirë, ma të drejtë, ma njerzore, me u zgjue kureshtjen, interesimin dhe ambicien, bile dhe revoltën, e t’i bante jo vetëm me andrrue e dëshirue, por edhe me u angazhue, me u pri drejt ndryshimeve ma radikale, nga rilindja, nga jeta e vërtetë, patjetër ma e bukur, ma dinjitoze…”(f. 152).
Të dytin nga dhe kapitulli XV:
“[…] Kjo luftë (thotë Arben Presheva) kërkon shumë prej nesh. Prandej përherë duhet të jemi të gatshëm edhe për sakrificën supreme, edhe të derdhim gjakun tonë e te japim edhe jetën tonë.
– Të gatshëm jemi me dhanë edhe jetën! – u ndie zani i nji të riu.
– Rrnoftë Arben Presheva! – thirri nji tjetër..
– Rrnoftë shoku Tito! Ia priti nji sërb.
– Rrnoftë! Živeo! Brohoritën të tjerët.
– Në emën të shtabit të batalionit “Çlirimi” e të Komitetit të Partisë, në emën të orgnave të pushtetit popullor të zonës së lirë të Karadakut, në emën të të gjithë patizanve, unë ju shpreh ndushllimet dhe keqardhjen tonë më të thellë për prindët e fëmijët tuej, për vllaznit dhe motrat, që ranë viktimë…”(f. 181).
Të tretin nga kapitulli XVI:
“Shkopi i Arbenit prap lëvizi, kësaj radhe në perendim të hartës.
“Forca të mëdha gjermano – shqiptare janë koncentrue edhe në Kaçanik. Simbas informatave që kemi, ata do të nisen sot apo nesër nën komandën e kolonelit gjerman Henrik Gehart dhe të kolonelit shqiptar Mahmut Mojsiu. Me ta asht bashkue edhe satrapi Liman Staneci me bashibuzukët e tijë dhe, dihet, majori Mehmet Gradica. Sulmin e tyne e presim në veri të Kaçanikut, luginës së Moravës. Pa dyshim ata do të bashkohen me forcat bullgare që vijnë nga Zhegra nën komandën e kolonelit Gane Genadiev […] Këtu, si thashë, asht përqendrue nji regjiment xhandarësh bullgarë, i përforcuem me një repart rojesh kufitare, që komandohen nga koloneli Genadiev. Me ta asht edhe mulla Idrizi i Velekicës, që ka rekrutue bashibuzukët nga Gjilani. Edhe ata pritet të nisen menjiherë në drejtim të Binçës, por ende nuk kanë dalë prej Zhegrës” (f. 519) ose “Simbas informatave që kishte mbledhë kapiteni Bllazho Joviqi, kundra zonës së lirë dhe batalionit “Çlirimi” ishin ngritë në kambë dhe po marshojshin njizetë mijë ushtarë të armatosun deri në dhambë e të stërvitun mir, të shoqnuem nga altilerija dhe reparte kavalerije. Forcat nga Zhegra dhe Kaçaniku kishinurdhën me spastrue prej njisive partizane krahinën në veri të Karadakut të Shkupit, në kufi me Kosovën” (f. 520).
Strukturat e tillë tekstore, të karakterit thjeshtë kumtues, informativ, qoftë si fjalime të udhëheqësve të grupeve, të individëve, qoftë si të dhëna e fakte që ishin të rëndësishme për veprimin e batalionit “Çlirimi”, po dhe më gjerë, janë të shumta dhe, natyrisht, ata e kanë përcaktuar llojin e tekstit të romanit: i kanë dhënë përmasën e një teksti të karakterit jo poetik.
Edhe fjalët e huaja që përdor Kapllan Resuli në romanin e vet janë të shumta dhe nuk i përgjigjen aspak prozës poetike, po e tundin thellësisht, për të mos thënë, e rrënojnë atë si vlerëdhe mesazh poetik:
fringo (të re); ekspozim, rezononte, dislokim, aprovim, stopoi, direktivave, aspiratat, koordinojnë, konsiderueshme, konstatime, egzagjerue, diferenca, aderue, refuzoi, intimitet, kontaminohej, prezencë, relacion, ekspozohesha, konstatoi, sfidonte, u angazhue, transportojshin, dakord, apriori, (sipas) informatave, influks, eksitim, potencë, impresionim, konkluzive, raportoi, efektivi, anterinë, inorganike, komplimenta, ordinare, temperament, racionin, atrofue, radikale, okupatora, (jeta) kokloziane, apel, periferi, debate, eksperiencë, manevrim, ilariete, (dy copa) antraciti, apsolute, indulgjencë, definitivisht, denoncue, konsideroj, megallomaninë, konsekuent, kontemporane, demonstronte, timid, kurioz, dislokueme, kompetencë, paradë, pretekst, injorantat, supremacion, hegjemoni, manipulojmë, arsenal, implikon, ekzaminoj, pajustifikueshme, eventualitet, rigorozitet, incident, deluzion, perspektivë, flagrante, eliminohet, likvidojsh, rendiment, puro, krevati, denonconte, divorcin, elasticitetin, sentimentet, konspiracion, instrukcion, oportunizëm, prudencë (prudent), kontaminoheshin, voluptoze, politesë, dekurrajon, deluzionue, supreme, konsideratë, objektivi, shrapnel, portative, inoçenti etj.
Këto fjalë përdoren dhe përsëriten në pjesë të ndryshme të romanit, nuk i ndihmojnë dhe nuk janëtipike as përnjëtekst tënatyrës gazetareske.
Fjalët turke nuk po i veçoj se janë shumë dhe në pjesën më të madhe të panevojshme si bajagi, dinsëza, lanetën, imansëza.
Herë – herë lexuesi i vëmendshëm vëren dhe shtjellime jo shqipe si, fjala vjen,: “Kurr nuk vihej në pyetje” (f. 257); ”ishte ma e sigurtë për raste të tilla” (f. 45); “Si e shërbente shëndeti” f. 197); “siç duhet të dini” (f. 47); “Ma mir jepjani çiftlinë e të na e marrë atë kajkën e Mujit dhe Halilit ” (f. 126); “Për ma tepët” (f. 455)¸
Ndoshta qëllimin pse autori e shkroi romanin “Tradhtija” në këtë mënyrë: më përshkimin e ngjarjeve, vuajtjet dhe pësimet e personazheve të romanit të vet na e thotë vetë në tekstin përkushtuar fëmijëve të tij, Arbenit dhe Arbanës:“[…] po i vej në dorë kët grusht mendimesh e vuejtjesh kosovare”.
Një fakt që thellësisht përligjet nga teksti i romanit.
6. Në një vepër letrare drama dhe tragjika e jetës duhet të përftohen përmes tekstit poetik
Edhe leximi më i rëndomtë i romanit “Tradhtija” të Kapllan Resulit mundëson të vëresh se autori ka vështruar ngjarje dramatike dhe tragjike të luftës dhe të flijimit të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës në fund të Luftës së dytë botërore, për lirimin nga pushtuesit e ndryshëm, të drejtuar nga Arben Presheva, sidomos nga pushtuesi bullgar dhe gjerman, po dhe veprimet e përmbysura, të rrezikshme e të ndyta të komunistëve jugosllavë për të shkatërruar çdo gjë që lidhej me pavarësinë kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve të trojeve të përmendura dhe me gjerë. Pra, autori kishte zgjedhur dhe kishte përshkruar ngjarjet dramatike dhe tragjike, bashkë me personat që e kanë udhëhequr dhe janë flijuar. Kjo dhe ka kushtëzuar që në një periudhë romani të jetë lexuar, sidomos në kohën e botimit të parë dhe të dytë (Tiranë 1966 dhe Tiranë 1967), kur teksti i romanit ka pasur më pak faqe dhe është shmangur gjithë ajo që s’ka përkuar me ideologjinë e regjimit stalinist në Shqipëri.
Mirëpo, duhet thënë se të zgjedhësh ngjarje dramatike dhe tragjike të jetës nuk domethënë se ato dalin si të tilla edhe në tekstin e një vepre letrare poetike, në rastin konkret në tekstin e romanit “Tradhtija”. Drama dhe tragjika e jetës dhe drama dhe tragjika që përftohen përmes tekstit janë dy gjëra të ndryshme. Është e njëjta gjë që ndodh me realitetin: shkrimtari (poet, prozator ose dramaturg) nuk është kopjues i realitetit, siç ngjet, fjala vjen, kur bëhet fotografimi i tij (kopjet ashtu si është), po ai e krijon atë realitet përmes strukturës gjuhësore shprehëse, realiteti që shprehet në veprën e shkrimtarit, është gjithmonë tjetër më atë të natyrshmin. Këtë ndryshim e pati vërejtur dhe e pati theksuar qysh filozofi i vjetër grek, Arstoteli në veprën e vet “Qasje artit poetik”, të shkruar 2300 vjet më parë: vepra letrare ështënjë mimesis,një rindërtim, rikrijim i realitetit përmes tekstite jo realteti historik . Nuk është faji i këtij teoriku të shquar që ne ende nuk e bëjmë këtë dallim.
Me fjalë të tjera, Kapllan Resuli ka bërë përshkrimin e disa ngjarjeve dramatike dhe tragjike, po nuk ia ka dalë t’i përftojë si të tilla përmes rrëfimit të veçantë, përmes strukturës gjuhësore shprehëse. Shkrimtari i njëmendtë edhe një ngjarje e një dukuri të rëndomtë e bën dramatike përmes tekstit që e shpreh, përmes marrëdhënieve të fjalëve dhe të shprehjeve, përmes ballafaqimit dhe kundërvënies së tyre brenda strukturës përkatëse tekstore. Pra, ta përshkruash një dramë të realitetit konkret, dhe ta krijosh një dramë në veprën letrare artistike nuk është një gjë e njëjtë dhe s’ka të njëjtën vlerë. Siç ngjet që realiteti i krijuar përmes gjuhës dhe të shprehurit poetik, është më i veçantë dhe shumëfish më i pasur dhe më i vlefshëm, ashtu edhe krijimi i dramës përmes tekstit poetik është shumëfish më i rëndësishëm dhe më me vlerë. Kjo, mjerisht nuk është mbërritur në romanin “Tradhtija”.
7. Rrallësia e shqiptimit poetik dhe e mundësisë së ndikimit estetik
Ky vështrimi i romanit “Tradhtija” do të ishte i gjymtë dhe i një anshëm sikur të mos silleshin edhe disa shembuj, ku autori, Kapllan Resuli, ka përftuar tekst poetik të nyjshëm, shumëkuptimor, i cili jo vetëm të kredh në kërkimin e qenësive të tij, po bën dhe një ndikim estetik të madh. Këto pjesë bëjnë një pjesë të vogël të tekstit të romanit. Në to fjalët dhe shprehjet vihen në ballafaqim e marrëdhënie të veçanta, herë – herë të jashtëzakonshme me tyre, duke shkaktuar kështu një shumësi mendimi, që është cilësia kryesore e një teksti poetik. Po ta kishte hartuar tekstin e romanit Kapllan Resuli mbi bazën e këtij përcaktimi, romani i tij do të kishte tjetër vlerë dhe do të bënte tjetër ndikim estetik në lexuesin .
Po i sjell disa shembuj të tillë për të parë qenësinë dhe vlerën, natyrisht pa u ndalë në interpretimin e tyre:
“Mirëpo, zogjtë janë trembë nga luftimet e para nji jave, nga krismat e zjarmet dhe tash nuk ia kanë ma besimin kësaj qetsije, që ka pllakosë e trishtueshme dhe ogurzezë…”; “Buzët e saj u terën e fërgëlluen si gjethi i plepit në vjeshtë”; “Fytyra e saj në çast u vranue, mu sikur ta kishin zanë qiellin të gjitha retë e Karadakut”; “Ajri i freskët dhe i pastër , uji i ftohtë dhe i lehtë, që të hapë oreksin sa me hangër malet…”; “Po mue, pa pasë pula, ò?m’u desh me ba ish?!”; “Bile edhe vetes kur ia thonte, kthehej e shikonte rreth e qark, se mos e sheh, se mos e ndigjon kush”; “Syt e Arben Preshevës feksën. Në fytyrën e tij pasqyrohej brenga e tanë asaj krahine të përflakun nga zjjarmi i luftës”; “Më duket se e paska gjetë vekshi kapakun”; “Tue qeshe ashtu asaj i ra nji nur i magjishëm…”; “Nuk kam asgja me te, – bani Bilana me të shpejtë dhe sikur donte me shkundë diçka të papëlqyeshme prej vetes”; “Mirpo, edhe ma rand i erdhi që të gjithë i kishin ngulë syt në te dhe po e sikojshin si sorrën e bardhë”; “Kush me i ndie nuk guxonte, se e përpinte nata”; “[…] ndëgjojmë se njifarë Hasani prej Remnikut e kishte shkye natën mbar e mbrapsht me thikë, në shtratin e fjetjes”; “Gjakpimsat kudo lindin varrmishsat e vet”; “Vuejtjet e Tantalit kemi hekë tue ba shokë për vete, tue ça akulliin, që shekujt e kishin ngri”; “Në rrethanat e luftës, në rrethanat tona, na edhe prej gurit duhet të nxjerrim ujë”; “Thue se ai njeri mizën nuk do të kishte guxim me e shkelë”; “Ishte e veshur me dritë e rreze dielli, që në atë fund dhetori kafshojshin me dhambë prej akulli”; “Tue e pa ashtu të turbullueme, Vuçiqi shpejtoi që ta ndizte edhe ma mir zjarmin, që posa kishte kapë në trutë dhe në zemrën e saj”; “[…] Latif Tërnovën, që të merrte gjak në vetull e te bante me e qitë për hundësh tamlin e nanës”; “Batushi kishte za të fortë dhe e dridhte sikur të donte me gremisë malet me te”; “Trimin e mposhtë vetëm trimija”; “Grij Patër, grij! Po të gjitha planet i ke qiqrra në hell…”; “Mendoi se ky njeri ndoshta nuk kishte lanë gur e unur pa lvizur e pa shkrepë”; “Furtunë të kishte qenë dhe ma parë nuk do të kishte mbrrijtë në sheshin e luftës”; “Dielli ishte tue perendue dhe rrezet e tija e ngjyjshin dhomën e Arbenit me bojë alle, që dukej si purpiri i faqeve të Hasijes”; “Pylli i hapi krahët e vet të gjanë e të ngrohtë, intim. I hapi menjeherë para tyne me një rre e ni lëndinë, dhe i pranoi në gjiun e tij të errët e të qetë. I fshehu në syt e botës. I Mbuloi me heshtje”; “Ai â ba bythë e brekë me bullgarë…”; “[…] që ka përkundë lirinë kombëtare shqiptare”; “Si dëshira dëshirën, ashtu edhe guximi lind guximin”; “Paj, kjo do me thanë mblidhe fatkeq e haje dreq!”; “Gjaki i kishte kapë flakë, ashti si kapë flakë benzini”; “Hoxhë Mameri shikoi çallmën. Syt ia nguli yllit, sikur ta kishte tradhtua ai”; “A do të dalë ndonjiherë dimni ehde prej shpitit të tyne”; “Çdo gja do t’ia ngarkojmë asaj. Korrizi i të vdekurit mban çdo gja”; “Edhe sikur të duem, nuk na lanë anmiqtë me vdekë”; “- Po këta? – e pyeti Tucoviqi dhe i tregoi me dorë altilerët e renditun për tokë si për paradë, me dekoratat e tyne prej gjaku në fytyrë, gjoks e në trup”; “[…] shumica e tyne hangrën kokrrën e plumbit shpinës e bythve, me përjashtim të atyne që i kishin mbulue bythët me themra”.
*
Gjithë ajo që u tha në këtë punim për romanin “Tradhtija” të Kapllan Resulit – botimi i pestë i bërë në Prishtinë – është fryt, rrjedhojë e vetë tekstit (të shtrirë në 615 faqe, pa llogaritur fjalorthin në fund) dhe e analizës së natyrës e të veçantive të tij shtjelluese, shprehëse dhe komunikuese. Në qenësinë e vet teksti i këtij romani, siç u dëshmua përmes përbërësve dhe shembujve të shumë, është i natyrës kumtuese, retorike dhe kjo e ka përcaktuar – kufizuar vlerën e tij si art, si komunikim poetik. Në qoftë se dikush kërkon diçka tjetër prej një vepre letrare poetike, ai mund të vlerësojë atë si të dojë, si t’i mbushet mendja, po nuk bën e nuk duhet ta ngatërrojë faktin se vlera artistike e tekstit dhe ndikimi estetik i tij nuk mund të bëhet (nuk mund të ndodhë) përmes një teksti të natyrës jo poetike ose përmes tematikës.
Prishtinë, korrik 2018
referenca:
[1] J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta. Nolit, Beograd 1976, f. 44.
[2] Jurij M. Lotman, Teze uz pitanje ‘Umjetnos u nizu modelnih sustava’. Në “Strukturalizam”. Posebno izdanje. Kritika, Zvezak 4, Zagreb 1970, f. 251.
[3] Kapllan Resuli, Tradhtija. Roman. Parathënien Mithat Lepaja. Botimi i pestë. Dija, Prishtinë 2010, f. 628.
[4]Shin më gjerësisht për natyrën e tekstit poetik Anton Nikë Berisha & Labinot Berisha, Ligjërime rreth tekstit letrar poetik. Çështje teorike dhe praktike. Faik Konica, Prishtinë 2017.
[5] Botimi i dytë u bë më 1967.
Në botimin e parë romani “Tradhëtia” (kështu shënohet titulli) kishte 259 faqe, ndërsa në botimin e dytë 392 faqe. Botimi i katërt është botimi që e ka përpunuar autori dhe ky botim është ribotuar, pra është botimi i pestë, që e shfrytëzoj në këtë punim.
[6][6] Shih më gjerësisht për këtë Anton Nikë Berishës Gjuha dhe letërsia. Ose: rreth strukturës gjuhësore dhe strukturës gjuhësore poetike në veprën e tij “Shumësia kuptimore”. (Ese dhe vështrime), Rilindja, Prishtinë1990, f. 9 – 27.
[7]Wolfgang Iser, Die Appellstruktur der Texte (Umbestimmheit als Wirkungsbedigung literarischer Prosa). Në Rainer Warning, “Rezeptionsästhetik” Wilhem Fink Verlag, UTB, München, 1975, f. 230-231.
[8]W. Iser, Die Appellstruktur der Texte, pun. i përm.,f. 235.
[9] Është për keqardhje dhe tepër e çuditshme se si autori i romanit të cilin e shkruan shqip thotë në/tekst që ta këndonte atë këngën e Mujit e Halilit. S’ka këngë të tillë, ka cikël këngësh me këtë emër. Këtu kemi të bëjmë me mosnjohjen e alfabetit të këtyre këngëve.
[10] Shih më gjerësisht për këtë studimin tim Vëshgime mbi „Poetikën“ e Aristotelit. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2018.
[11] Përmbledhja me tregime e Ramadan Rexhepit Kumbonaret. “Jeta e re”, Prishtinë 1963 dhe romani i tij “Udhëkryqi”, të shkruar në vitin 1967, që mos vonë u ribotua me tituli “Stina e emrave të bukur”, Prishtinë 2010, janë në një rrafsh shumëfish më të ngritur poetik. Mjerisht heshtja që iu bë këtyre veprave për shumë vite për shkak se autori iku të jetojë në Suedi, i solli një dëm të madh letërsisë shqipe në përgjithsi e jo vetëm asaj që u krijua në ish Jugosllvinë.