Oficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, togeri Albian Ajvazi, këshilltar ushtarak i komandantit të Forcës Tokësore të FSK-së, shpallet studenti më i mirë ndërkombëtar, në trajnimin “Kursi për Kapiten të Karrierës për Adjutant Gjeneral” që u realizua nga shkolla e Adjutantëve Gjeneralë të Ushtrisë së SHBA-ve.
Në këtë shkollë, përveç studentëve nga ushtria amerikane, pjesëmarrës ishin edhe oficerë nga Kosova, Egjipti, Jordania, Indonezia dhe Rumania. Në vlerësimin e përgjithshëm nga ushtria amerikane shkruhet: Togeri Albion Ajvazi demonstroi një kuptim të plotë të kompetencave të burimeve njerëzore, si dhe funksioneve të tjera thelbësore të mbështetjes së burimeve njerëzore. Ai e përfaqësoi Kosovën në mënyrë të jashtëzakonshme në Shtetet e Bashkuara.
Toger Ajvazi, gjatë shkollimit në SHBA, ka zgjeruar njohuritë ushtarake në temat e përgjithshme si: Menaxhimi i sistemeve të burimeve njerëzore; mbështetja operacionale dhe taktike; shërbimet esenciale dhe menaxhimi i gatishmërisë së personelit; zhvillimi i planifikimit dhe operacioneve në kuadër të burimeve njerëzore dhe mbështetja civile në operacione.
Togeri i FSK-së, Albian Ajvazi, në shkollën e Adjutantëve Gjeneralë të Ushtrisë së SHBA-ve arriti rezultate të shkëlqyeshme dhe si rezultat i performancës së lartë, pas përfundimit të trajnimit, u dekorua me medaljen ,,Diplomatic Award” për periudhën kohore janar-korrik 2018.