Intervistë me shkrimtarin Bilall Maliqi , kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Luginës së Preshevës. (Në dyzetë vjetorin e themelimit të Shoqatës me emrin “Feniks”, e luta kryetarin e kësaj Shoqate Bilall Maliqin për të biseduar më konkretisht lidhur me kulturën letrare të asaj pjese të ndarë dhe për disa pyetje me interes për dashamirët e kulturës dhe të artit letrar, e që shkrimtari Maliqi me kënaqësi pranoi ftesën tonë për intervistë)
2L ONLINE: Zoti Maliqi, prej kur vepron “Feniksi”?
MALIQI: Klubi Letrar “Feniks” është themeluar në vitin 1975 nga disa krijues të cilët atëbotë e mbanin gjallë kulturën letrare në Preshevë si: Mexhid Mehmeti, Gani Misini, Demir Behluli, Sadete Presheva, Hasan Emërllahu, Xhemaludin Rexhepi, Jonuz Featahaj e disa të tjerë entuziastë, të cilët punuan dhe e promovuan kulturën letrare të asaj kohe. Sivjet Shoqata jonë kremton 40 vjetorin e themelimit të saj, dhe ne do të mundohemi bile në mënyrë modeste ta kremtojmë këtë jubile me rëndësi për kulturën letrare të Preshevës në veçanti dhe të Luginës në përgjithësi.
2L ONLINE: Nga cilat komuna keni shkrimtarë?
MALIQI: Për shkak të rrethanave të njohura politike dhe të luftës, ish Klubi “Feniks” i ndërpreu aktivitetet e saja, sepse ishte gati i pamundur zhvillimi i aktiviteteve letrare dhe se gati gjithçkaje i kishte humbur kuptimi, si rezultat i luftës, dhe pasigurisë totale që mbizotëronte atëherë këtë nënqiell që flet shqip. Nga viti 2005 unë dhe poeti Demush Berisha e riaktivizuam Klubin, dhe nga viti 2006 e zgjeruam aktivitetin edhe në dy komunat tjera, në Bujanoc dhe në Medvegjë. Ndërsa nga viti 2011 Klubin Letrar “Feniks” si themelues e shkriva në Shoqatën e Shkrimtarëve “Feniks” që tubon krijues nga tri komunat tona. Jemi të regjistruar në agjencionin e regjistrimeve në Beograd, kemi aktet normative, xhirolloagrinë dhe vulat. Nga riaktivizimi e deri më tani Shoqata jonë ka pasur aktivitete të shumta të cilat janë të shënuara në procesverbalin e Shoqatës, kemi edhe edicionin e botimeve të “Feniksit” , kemi botuar një numër të konsiderueshëm të librave të zhanreve të ndryshme letrare, nga ato më tepër poezi. Brenda Shoqatës sonë ekziston edhe “Karvani i Shkrimtarëve të Luginës” , ku i vizitojmë të gjitha shkollat e Luginës së Preshevës dhe më gjerë, mbajmë orë letrare, përurime librash të zhanreve të ndryshme, si dhe shënim të ndonjë date me rëndësi jetike për kombin tonë.
2L ONLINE: Sa shkrimtar i ka shoqata juaj?
MALIQI: Shoqata jonë ka diku mbi tridhjetë anëtarë të shtrirë në tri komunat tona, të cilët me përpikmëri i thirren aktiviteteve të përcaktuara me plan dhe program si dhe me statut të Shoqatës. Edhe më krenar na bënë fakti se dita ditës po dalin krijues të rinj nga tri komunat, kjo si rezultat i mbajtjes së orëve edukative letrare, dhe kjo është njëfarë nxitje për nxënësit të merren edhe me artin e bukur letrar.
2L ONLINE: Çfarë temash trajtojnë këta shkrimtarë?
MALIQI: Brenda shkrimeve të tyre krijuesit trajtojnë motive e tematika të lloj-llojshme dhe ma marr mendja që tani krijuesit kanë çfarë të shkruajnë, sepse koha dhe përditshmëritë tona në rrafshin jetësor i nxisin të shkruajnë të gjejnë motive dhe ti vargërojnë secili në stilin e vet të shkrimit.
2L ONLINE: Cili është bashkëpunimi i juaj me shkrimtarët nga Kosova dhe viset tjera shqiptare?
MALIQI: Ne si Shoqatë e Shkrimtarëve kemi bashkëpunim shumë të frytshëm me të gjitha Shoqatat e Shkrimtarëve, Klubet dhe Asociacionet letrare kudo në Kosovë dhe gjetiu si: me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubin Beqir Musliu të Gjilanit, Klubin letrar Nositi të Dardanës, De Rada nga Ferizajt, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë, me Klubin Letrar Oenium të Tetovës, Klubin e Shkrimtarëve Jehona e Karadakut të Kumanovës etj., etj.
2L ONLINE: Sa ju ndihmojnë e ju përkrahin juve ?
MALIQI: Shoqata jonë nga pushtetet lokale në Luginë nuk përkrahet as materialisht, as moralisht. Ne veprojmë dhe punojmë në baza vullnetare. Nuk kemi përkujdesje as shoqërore as institucionale. Ky anashkalim material nga pushtet lokale ka ndodhur vetëmse ne nuk kemi rënë në asnjë ndikim politik dhe nuk kemi dashur që kultura të politizohet…
2L ONLINE: A ka ndonjë manifestim që organizohet në Luginë të Preshevës ?
MALIQI: Përpara, viteve të tetëdhjeta mbaheshin “Takimet e krijuesve preshevarë” dhe kishin jehonë të madhe, por ato nuk zgjatën shumë për shkak të kushteve materiale nuk janë mbajtur ka shumë vite. Vitin e kaluar në mbështetje të projektit nga Ministria e Kulturës dhe e Informimit e Republikës së Serbisë, e organizova Manifestimin e madh kulturor me titull “Kultura na bashkon”, tribunë dhe orë të madhe letrare për poetin tonë të njohur Qerim Arifin, ku kishte poetë nga të gjitha viset e banuara shqiptare, me ç’rast u ndan për herë të parë katër çmime letrare me emrin e Qerim Arifit. Në të ardhmen synojmë që ky Manifestim të jetë tradicional, por kjo varet nga mundësia materiale dhe nga donatorët e mundshëm… Presim kohë më të mira ! /2L ONLINE/