“Rreziku më i madh për shoqërinë tonë, dhe ajo që e minon të ardhmen e këtij vendi, është përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët dhe qasja e lehtë e tyre në faqe me përmbajtje të rrezikshme për moshat e reja”.
Kështu shprehet Arta Haziri Nuhiu, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, njëherësh anëtare edhe e Komitetit për Kulturë, Rini dhe Sport, sipas të cilës një pjesë të konsiderueshme të fajit për këtë e bartin prindërit.
“Jemi dëshmitarë që shumë prind, në fakt një përqindje shqetësuese e tyre, dhuratë për fëmijët bëjnë telefona të mençur me mundësi qasje në internet. Lëre që e bëjnë këtë, por e keqja më e madhe është se asnjëherë nuk ushtrojnë kontroll mbi ta përkitazi me mënyrën se si dhe për çfarë e përdorin fëmijët këtë pajisje, duke mos i përjashtuar edhe kompjuterët”, ka thënë ajo.
Arta Haziri Nuhiu thotë të mos ketë parë ndonjë strategji kombëtare përmes së cilës parandalohet qasja e fëmijëve nënë 18 vjeç në këto faqe me përmbajtje të rrezikshme për ta dhe se duhet të mendohet një formulë që mundëson ta shpëtojmë rininë tonë nga veset e këqija dhe nga devijimi i tyre.
“Organizimi i kampanjave vetëdijësuese, për fëmijë e prindër, edukatorë e mësues, do të ishte masë preventive. Mjetet e informimit, qoftë ato të shkruara apo elektornike, po servirin paturpësisht materiale të cilat e shkatërrojnë fëmijën. Kemi parë emisione në pikë të ditës, e të cilat bota ose nuk i transmeton fare, ose i transmeton gjatë natës. Tek neve ato jepen në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje, çdo kohë, pa kontroll dhe pa censurë. Kjo duhet të ndryshoj, jemi të vonuar porse duhet të ndërmarrim hapa konkret të shpëtojmë atë çfarë ka mbetur për tu shpëtuar”, ka thënë Arta Haziri Nuhiu.