(2LONLINE) – Pa dashur të futem në detaje, vetëm një vrojtim dhe rekomandim në lidhje me manifestimin tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, në nderim të jetës, kontributit dhe sakrificën e Komandantit e Heroit të Kombit, Agim Ramadani (Katana).
Personalisht jam dëshmitar i këtij manifestimi tradicional për disa vite rreshtazi. Manifestim i duhur e dinjitoz për figurën dhe veprën kolosale të Agimit tonë. Manifestim ky i cili akoma është i izoluar vetëm në fshatin Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit. Vitet po kalojnë dhe akoma nuk po arrin të depërtoj në qytet. Arsyet nuk i di! Tri ditë përplot aktivitete të ndryshme dhe që të gjitha po vazhdojnë të organizohen e mbahen vetëm në Zhegër.
Dëshira ime është që tubimi qendror “Ti këndojmë Agimit” që mbahet më 3 maj (ditëlindja e Agimit) nga viti i ardhshëm të mbahet në qendër të Gjilanit, respektivisht në sheshin “Agim Ramadani”. Besoj që këtu e ka vendin kjo ditë e madhe për Anamoravën, Karadakun e gjithë Kosovën. Është koha që kjo ngjarje të zhvendoset në qytet ku edhe organizimi, pjesëmarrja dhe kualiteti do të ishte në nivelin e duhur. Komuna duhet të merr hapa konkrete në këtë drejtim.
Lavdi jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar, Agim Ramadani.
/Betim A. Osmani/