Ministria e Infrastrukturës ka formuar shtabin emergjent, me qellim të menaxhimit të gjendjeve të jashtëzakonshme siç janë rrëshqitja e dheut, vërshimet, reshjet e borës, apo dhe reshje tjera.
Për emërimin e këtij shtabi Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka nxjerrë një vendim, sipas të cilit ky shtab do të udhëhiqet nga sekretari i MI-së, Nebih Shatri u.d, ndërsa përbëhet nga disa udhëheqës të departamenteve tjera të kësaj ministrie të cilët do të përcjellin vazhdimit situatën e cila krijohet në rast të reshjeve e ndryshme atmosferike.
Lidhur me organizmin e punëve dhe aktiviteteve të këtij shtabi, ministri Lekaj mbajti një takim me anëtarët e këtij shtabi, ndërsa në takim i pranishëm ishte zëvendësministri Rexhep Kadriu, si dhe përfaqësuesi i Policisë së Kosovës Jeton Rexhepi.
Ministri Lekaj tha se tha se ky shtab është themeluar, për të ndërmarrë masa për tejkalimin e situatave eventuale emergjente të cilat mund të krijohen gjatë stinës së dimrit. Po ashtu shtabi do të ndihmoi në rastet kur kërkohet nga ana e qytetarëve për pengesat të cilat paraqiten gjatë qarkullimit të tyre nëpër rrugë, për shkak të ngricave apo edhe gjendjeve të tjera.
Shtabi emergjent do të raportoj tek ministri i Infrastrukturës si dhe do të rekomandoi ndërmarrjen e masave përkatëse me procedurë urgjente për rikthimin e gjendje normale në rrugët e vendit tonë, kur paraqitet nevoja.
Ndërsa, major Jeton Rexhepi, theksoi se Policia e Kosovës, është e gatshme që të bashkëpunojë në këtë drejtim për të siguruar një qarkullim më të lehtë të qytetarëve të vendit tonë, sa herë që kërkohet.
Në takim u vendos që për të plotësuar veprimin në kohë sa më të shkurtër do të gjendet forma e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK-në), zjarrëfikësit, institucionet shendetësore etj.
Që gjithë kjo të jetë në nivelin e duhur, Ministria e Infrastrukturës do të caktojë një zyrar i cili do të jetë i gatshëm për të marrë dhe siguruar të gjitha informatat nga terreni, nëse rrugët janë të pakalueshme apo për mirëmbajtjen e tyre dhe këto informata të përcillen sa më shpejt tek ky shtab dhe të intervenohet në mënyrën më të shpejtë.