(2L ONLINE) – Janë bërë të gjitha përgatitjet për themelimin e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve apo lagjeve urbane, të cilët do të jenë zëri i qytetarëve në vendimmarrje në Komunën e Gjilanit.
Ky projekt do të realizohet me iniciativë të kryetarit të Komunës Lutfi Haziri në bashkëpunim me organizatën Agro-Eko, ndërsa është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Implementimi i projektit do të realizohet në bazë të rregullorës së Kuvendit Komunal të Gjilanit për “Organizimin dhe Bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Gjilanit”, të miratuar më datë 09.07.2010.
Konstituimi i Këshillave do të nis në fshatin Pogragjë më 2 korrik 2014 në ora 17:30, ku përfshihen edhe fshatrat: Bilinicë, Llovcë, Sllubicë, Inatoc-Kokaj.
Më 3 korrik 2014 do të konstituohet Këshilli në fshatin Zhegër në ora 17:30, në të cilin pëfshihen fshatrat: Demiraj, Haxhaj, Kurexh, Terziaj, Selishtë, ndërsa në fshatin Livoçi Ulët Këshilli do të themelohet më 4 korrik 2014 në ora 17:30, për të vazhduar edhe me konstituimin e këshillave tjerë në fshatra, vendbanime apo lagje urbane.
Këshilli i fshatit, vendbanimit apo lagjes urbane ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara si më poshtë:
– Kujdeset për planifikim urban dhe rural;
– Kujdeset për furnizim me ujë, rregullimin e kanalizimit, drenazhimet etj.;
– Kujdeset për ofrimin e shërbimeve publike efikase;
– Kujdeset që qytetarëve t’u ofrohet mbrojtja shëndetësore primare;
– Kujdeset për mbrojtjen locale të ambientit
– Kujdeset për zhvillimin e turizmit;
– Kujdeset për sigurimin e hapësirave të hapura dhe varrezave
– Kujdeset për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive;
– Bashkëpunon me organet Komunës dhe organizatat tjera për çështjet me interes për lokalitetin;
– Evidenton dhe paraqet prioritetet e lokalitetit para organeve të Komunës;
– Merr pjesë në emër të qytetarëve të lokalitetit në financimin e çështjeve që janë pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës;
– Kujdeset për organizimin e aksioneve vullnetare në interes për lokalitetin dhe
– Kryen edhe detyra të tjera të cilat mund të jenë të bartura nga Kuvendi i Komunës ose Kryetari i Komunës në pajtim me ligjin dhe Statutin e Komunës. /2L ONLINE/